RrGK diskuton për gratë në politikë me Misionin e BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve  

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ngjashëm si në të kaluarën, edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019 bëri thirrje për pjesëmarrje dhe përfaqësim më të madh të grave në politikë dhe procese vendimmarrëse. 

Rreth 200 vullnetarë për pesë ditë (25-29 shtator) në kuadër të fushatë“Voto për më shumë gra në parlament”, kanë shkuar derë më derë në mbi 15 komuna të Kosovës, përfshirë ato serbe, për të diskutuar me gratë dhe burrat votues mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në parlament.  

Për këtë kampanjë u njoftua nga afër edhe shefja e Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM), Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian (PE) nga Gjermania, gjatë takimit që pati me 3 tetor 2019 me Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova. 

Rogova ka ngritur shqetësimin për mos zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj) nga partitë politike. Sado që ky ligj kërkon përfaqësim të barabartë 50%, as në këto zgjedhje partitë nuk e respektuan atë. 

Çështja e pjesëmarrjes së grave në këto zgjedhje u ngrit edhe nga ky mision përmes një kumtese për media, të cilën e lëshuan pas mbajtjes së zgjedhjeve.  

Ky mision përmes kësaj kumtese edhe pse pohon se zgjedhjet kanë qenë të organizuara dhe të administruara mirëmegjithatë vlerëson se “partitë politike kanë adoptuar masa të pamjaftueshme afirmative për të arritur përfaqësim të barabartë gjinor brenda partive politike, veçanërisht në nivelet lokale. Barazia gjinore ende nuk është integruar mjaftueshëm brenda ligjeve dhe politikave përkatëse”  

KËTU kumtesa e plotë e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. 

Ky mision është i pavarur dhe gjetjet e përfundimet e tij i përmbahen Deklaratës së Principeve për Vëzhgim Ndërkombëtar të Zgjedhjeve, nënshkruar në tetor, 2005. 

Kujtojmë se përkrahja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022.  

LEXO EDHE:  RrGK bën thirrje: Votoni për më shumë gra në parlament.