DSK me punëtori për zhvillime të aftësive në kuzhinë

Down Syndrome Kosova (DSK) ka mbajtur trajnime mbi zhvillimin e aftësive në kuzhinë me nënat e anëtarëve me sindromën Down në Mitrovicë, përfshirë fshatrat përreth: Shipol, Shupkovc, Gllovotin, Zhabar dhe Kqiq i Madh. Numri i pjesëmarrësve në këtë punëtori 20 ditor ishin 23 nëna.

Qendra e DSK në Mitrovicë përveç trajnimit në kuzhinë, me udhëheqje të trajneres Hikmete Bajgora, ka ofruar trajnim edhe në zhvillimin e aftësive negociuese të shitjes si dhe zhvillimin e mekanizmave për promovimin e produkteve.

Në kuadër të nismës “Kuzhina X21”, DSK mbajti edhe takime me grupet e grave asambleiste në Mitrovicë me qëllim të informimit dhe avokimit në lidhje me fuqizimin ekonomik të grave. Takimi me gratë asambleiste të qytetit të Mitrovicës është mbajtur me datë 11.03.2020 në qendrën e DSK Mitrovica, ku pjesëmarrëse ishin gratë asambleiste dhe nënat e anëtarëve me sindromën Down.

Në këtë takim është promovuar puna e nënave në kuzhinë, planet për aktivizimin e kuzhinës dhe punësimin e nënave, si dhe mundësia për ndarjen e fondeve nga niveli lokal për nisma të tilla.

“Me anë të Kuzhinës X21, qëllimi ynë ishte t’i fuqizojmë nënat e anëtarëve tanë me sindromën Doën, duke i përfshirë në përgatitje të ushqimeve. Këto ushqime parashihen të shiten për një klientelë më të gjerë, duke mundësuar qëndrueshmërinë financiare dhe vetëpunësimin e këtyre nënave”, u shpreh Zana Bashota-Broja, Drejtore e DSK në Mitrovicë dhe Koordinatore e Projektit.

Këto aktivitete dhe kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).

Përveç organizatës Down Syndrome Kosova, përfituese nga raundi i 13-të i FGK-së janë edhe 18 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta gjeni KËTU.