Më 14 shtator një grup studentësh për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Arteve të Aplikuara të Vjenës u takuan me Menaxheren e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Adelina Berisha.
Berisha i njoftoi studentët për punën e RrGK-së që nga themelimi i tij në 1996. Një fokus i veçantë në këtë takim u vu në aktivitetet e kahmotshme të RrGK-së për luftimin e dhunës me bazë gjinore.
Ajo përmendi raportin e fundit hulumtues të RrGK-së “Nga Ligjet në Vepra”, i cili vlerëson sa është përafruar korniza ligjore e Kosovës me Konventën e Stambollit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, si dhe zbatimin nga institucionet përgjegjëse të kornizës ligjore për adresimin e dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë këtu Strategjinë Kombëtare kundër Dhunës në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020.
Studentët e vlerësuan takimin, duke e parë atë si përvojë të vlefshme dhe mundësi të mrekullueshme për të kuptuar nga afër punën e RrGK-së.