RrGK merr pjesë në takimin e Palës Punuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB)

Ne e falenderojmë EULEX-in dhe Palën Punuese për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) që na dhanë mundësinë të ndajmë me ta punën e RrGK-së dhe anëtarëve në fuqizimin e grupeve për të drejtat e grave; në rritjen  pjesëmarrjes së grave në politikë dhe perspektivën gjinore në ligjet dhe politikëbërjen; adresimin e dhunës me bazë gjinore në përputhje me Konventën e Stambollit; fuqizimin ekonomik të grave përmes reformave juridike dhe adresimin e diskriminimit me bazë gjinore në punësim; qasjen e grave në kujdesin shëndetësor; dhe transformimin e normave gjinore përmes edukimit, përfshirë edhe mundësinë e kujdesit të fëmijëve.

Ne kërkuam mbështetjen e anëtarëve të COWEB:

1) që gratë e ndryshme të kenë një ulëse në tryezë gjatë Dialogut Prishtinë-Beograd dhe që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të konsultojë grupet e të drejtave të grave sipas Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe angazhimeve të BE-së ndaj saj, në bazë të letrave të RrGK-së;

2) që rregulloret e BE-së të kërkojnë angazhim më të fortë për të çuar më tej barazinë gjinore, duke përfshirë objektiva të qarta dhe ndarje buxhetore (duke vënë në dukje IPA III si një mundësi të humbur);

3) që të inkurajohet qeveria e Kosovës që të miratojë reformat e nevojshme ligjore dhe të politikave dhe të ndajë buxhetin për zbatimin e Konventës së Stambollit në konsultim të ngushtë me aktivistet për të drejtat e grave në cilësinë e eksperteve; dhe

4) që të përshpejtohet liberalizimi i vizave për të realizuar me të vërtetë vlerat evropiane të shkëmbimit ndërkulturor dhe ndërtimit të paqes.

EULEX Kosovo (Official) #COWEB