“Ajnishahja ishte një grua e jashtëzakonshme. Një grua e guximshme, e me integritet të lartë. Ajo ishte njëra prej aktivisteve të hershme, qysh në lëvizjen e pajtimit te gjaqeve gjate viteve të ‘90ta. Gjate luftës ishte aktive, por edhe pas luftës, ajo nuk u ndal asnjëherë së punuari për komunitetin. Ishte inspirim për aktivizëm për shume vajza të reja.”
Kështu e kujton Ajnishahe Halimin, aktivisten e njohur nga Skënderaj, mikja dhe bashkëpunëtorja e saj, Valdete Idrizi.
Ajnishahe Halimi njihej për guximin e saj para luftës, dhe këtë e kishte dëshmuar ku bashkë me aktivistë të tjerë, kishte bërë përpjekje që trupat e të vrarëve në masakrën e Prekazit të varroseshin në mënyrë të dinjitetshme.
Ajo ka qenë dëshmitare e dorës së parë të një prej sulmeve të para ndaj familjes Jashari, më 22 janar të vitit 1998.
Pas luftës, Halimi për një kohë ka qenë edhe cicerone e Kompleksit të Jasharëve në Prekaz. Ajo e kishte përkufizuar familjen Jashari si ‘Përmasa Mitike e Flijimit, Shembulli Mbinjerëzor I Mbijetesës.’
“T’i kesh njohur Jasharët para flijimit në altarin e Lirisë nuk është ndonjë meritë. Është një fat. Unë i njoha, e kisha këtë fat. I njoha fëmijët, gratë, burrat. Fëmijë të bukur si ata, të dashur, të zgjuar, rrallë sheh. Gra të vyera, mikpritëse e fisnike si ato, rrallë gjen. Burra bujarë si ata, trima, të urtë, të sjellshëm me miqtë, rrallë has”, kishte thënë zonja Halimi.
Në një intervistë për RrGK-në, Valdete Idrizi e përshkruan zonjën Halimi si frymëzim se si duhet të kontribuohet për komunitet.
“Unë e takova për herë të parë te Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’, ku ajo shërbente si cicerone. Një grua cicerone që i kishte njohur mirë Adem Jasharin dhe gjithë familjen. Kisha dëgjuar për të por nuk e kisha takuar më parë deri në vizitën e parë në memorial. Më mahniti afërsia e saj, njohuria e saj, durimi në shumë pyetje që i bëheshin nga vizitorët, dhe shpjegimi në detaje për familjen Jashari dhe sakrificën e tyre”, tha ajo.
Ajnishahe Halimi nuk u ndal së kërkuari drejtësi edhe pas luftës, ndërkohë që luftonte me tërë qenien e saj dukuritë negative në shoqërinë kosovare të pasluftës.
Në Skënderaj, Ajnishahja kishte punuar në të gjitha fshatrat e Drenicës për rolin e shkollimit të vajzave. Ajo i përkrahte gratë e vajzat pa kushte, duke ngritur zërin e saj edhe kundër një hoxhe i cili në atë kohë i nxiste nxënëset e shkollës fillore të mbuloheshin dhe të shkonin në xhami në fshatin Marinë.
Pas mobilizimit të saj dhe aktivistëve tjerë si dhe peticionin për mbylljen e xhamisë në Marinë të Skënderajt, xhami e cila dyshohej se po shfrytëzohej për aktivitete të shoqatës “Rahma/Mercy” nga imami i saj Xhemajl (Kastriot) Duka u deportua nga Skënderaj.
Për këtë çështje kishte shkruar edhe “Neë York Times”, duke e bërë zonjën Halimi pjesë të citatit ditor të kësaj gazete prestigjioze amerikane.
“Ajnishahe Halimi, politikane në Kosovën tolerante, ku ndihma saudite shpesh ka ardhur me bishta, si kërkesa për të bartur perçe apo për të marrë pjesë në predikime në xhami”, kishin cituar me këto fjalë zonjën Halimi.
Ndërsa zonja Idrizi, e përshkruan Ajnishahe Halimin si “një grua me këmbë në tokë e cila ka vepruar në zonë jo fortë të lehtë, por që me dijeninë, guximin dhe këmbënguljen e saj arriti të inspirojë shumë gra e vajza që të angazhohen në jetën publike.”
Ajnishahe Halimi ishte e përfshirë edhe në jetën politike. Ajo fillimisht ishte anëtare e “Vetëvendosjes”, e cila themeloi “Fraksionin +”. Më pas ajo kishte kaluar në një tjetër parti, në Partinë Demokratike të Kosovës.
Vitet e fundit të saj, Ajnishahe Halimi u sfidua nga kanceri në gji. Por, edhe këtë betejë ajo e shndërroi në mision për të shpëtuar jetë. Ajo mbajti takime vetëdijesuese kundër kancerit me gratë gati në të gjitha fshatrat e Skenderajt. Pas takimeve me to, shumë prej tyre u diagnostifikuan në faza të hershme dhe rrjedhimisht trajtimi por edhe shërimi ishin më të lehta.
Ajnishahe Halimi lindi më 8 nëntor të vitit 1961 dhe ndërroi jetë në vitin 2019.