Prishtinë, 15 nëntor 2023– Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kryer një analizë të thuktë të Raportit të sivjetëm të Komisionit Evropian (KE) për Kosovën, duke u fokusuar në çështjet që kanë të bëjnë me integrimin gjinor.
Komentari vë në pah si zhvillimet pozitive ashtu edhe fushat që kërkojnë vëmendje të mëtejshme për rritjen e barazisë gjinore në Kosovë.
“Në përgjithësi, Raporti adresoi përafërsisht 70% të rekomandimeve të bëra nga RrGK dhe anëtarët e saj. Katër zotime që drejtpërsëdrejti adresojnë barazinë gjinore, janë përfshirë në bazë të të dhënave të dërguara nga RrGK dhe organizatat tjera të shoqërisë civile,” thuhet në Komentar.
Konkretisht, në lidhje me avancimin e barazisë gjinore, Raporti i vitit 2023 thekson se Kosova duhet të bëjë përmirësime në këto fusha”:
• Sundimi i ligjit: Përmirësimi i kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të trajtuar rastet e dhunës me bazë gjinore në përputhje me ligjet, Strategjinë 2022-2026 kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe Protokollit të ri të Shtetit për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale
• Të drejtat themelore: Përforcimi i mbrojtjes së të drejtave civile dhe themelore të grave duke miratuar Kodin Civil, duke zbatuar Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe duke forcuar zbatimin e Ligjit për barazinë gjinore dhe Strategjisë për dhunën në baza gjinore;
• Politika sociale dhe punësimi: Miratimi i ndryshimeve në Ligjin e punës për të harmonizuar me acquis-in e fundit të BE-së, veçanërisht në lidhje me mosdiskriminimin në punësim dhe lejen prindërore; Vazhdimi i reformave të thella në fushën e skemave të asistencës sociale për të garantuar shënjestrim dhe ndikim më të mirë dhe për të përmirësuar qasjen në shërbimet sociale.
Duke theksuar fushat se ku duhet të ketë përmirësim, RrGK thekson se edhe me tej mungon një analizë gjinore brenda kontekstit të sigurisë, veçanërisht në rajonet e prekura nga dhuna e shtuar; roli i grave në proceset e paqes vazhdon të neglizhohet duke ndikuar në mungesën e gjithëpërfshirjes në Dialogun Kosovë-Serbi; trajtim i plotë i dhunës me bazë gjinore nën kapitullin e sundimit të ligji; të dhëna të pamjaftueshme të ndara sipas gjinisë në sektorë të ndryshëm, duke kufizuar një kuptim gjithëpërfshirës të nevojave shoqërore.
RrGK rekomandon një sërë veprimesh për të siguruar që raportet e ardhshme të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më përfaqësuese. RrGK i bënë thirrje BE-së që të mbetet e përkushtuar për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për adresimin e boshllëqeve të mbetura. Komentarin e plotë mund ta gjeni këtu.