Rrjeti i Grave të Kosovës ka publikuar raportin “Të sfiduara, por të qëndrueshme – Situata e organizatave të grave në Kosovë”, i cili analizon gjendjen aktuale të organizatave të të drejtave të grave në Kosovë në një kontekst të ndryshimeve të shpejta gjeopolitike dhe të klimës së financimit. Studimi bazohet në anketa të realizuara në intervista të drejtpërdrejta me 103 organizata të shoqërisë civile të grave (OGSHC), të cilat përfaqësojnë interesat e grave të të gjitha etnive, moshave dhe aftësive, në zona rurale dhe urbane.
Evidenca e mbledhur dëshmon se organizatat e grave kanë qenë motor i arritjeve kyçe drejt demokracisë gjithëpërfshirëse, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, qasjes në drejtësi dhe të drejtave të njeriut, duke kontribuar në progresin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, pavarësisht këtij roli të rëndësishëm, organizatat janë nën kërcënim për shkak të ndryshimeve globale në trendet e financimit. Disa donatorë bilateralë dhe fondacione private kanë reduktuar ndihmën në mënyrë të papritur dhe të konsiderueshme, ndërsa ndryshim prioritetesh vërehet edhe në Bashkimin Evropian.
Në dy vitet e fundit, 40% e organizatave raportuan një rënie të financimit. 59% e tyre nuk kishin të ardhura për vitin 2026, ndërsa vetëm 9% kishin fonde të siguruara për vitin 2027 dhe më tej. Si pasojë e mungesës së financimit, mbi 22 anëtarë stafi janë larguar nga puna dhe të paktën 49 aktiviste kanë reduktuar orarin e punës. Shkurtimet buxhetore gjithashtu kanë ndikuar në uljen e shërbimeve, mbështetjes për fuqizimin ekonomik të grave, avokimit, funksionit mbikëqyrës, fushatave të vetëdijesimit, edukimit dhe kërkimit. Situata ka kontribuar në stres, pasiguri dhe lodhje profesionale tek aktivistet.
Gjetjet e raportit tregojnë se klima mbështetëse për shoqërinë civile në Kosovë, në përgjithësi, është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Megjithatë, përmirësimet në fushën e filantropisë, vullnetarizmit, tatimit dhe kornizave të financimit do t’ua lehtësonin organizatave qasjen në burime. 81% e organizatave të intervistuara kanë marrë mbështetje nga institucionet e Kosovës në të kaluarën, megjithëse kontratat kanë zgjatur mesatarisht më pak se pesë muaj, duke treguar hapësirë për përmirësim të qëndrueshmërisë të kësaj mbështetjeje, sidomos në kontekstin e rënies së financimit ndërkombëtar. Raporti rekomandon miratimin e Udhëzimit Administrativ për partneritetet publiko-private dhe krijimin e një linje të veçantë buxhetore shtetërore për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile. Po ashtu, bën thirrje për përmirësime në kornizat ligjore për mbledhjen e fondeve dhe angazhimin e vullnetarëve, me qëllim ruajtjen e një shoqërie civile të pavarur dhe funksionale.
Sa i përket rekomandimeve për donatorët ndërkombëtarë, raporti thekson nevojën për financim të mjaftueshëm, afatgjatë dhe fleksibil, përfshirë mbështetje bazë për organizatat e angazhuara në hukumtim, monitorim dhe avokim.
Pavarësisht sfidave të paraqitura, 91% e organizatave kanë deklaruar se do të vazhdojnë punën e tyre edhe pa financim nga donatorët, duke dëshmuar qëndrueshmëri dhe përkushtim të lartë ndaj aktivizmit.
Raporti po shpërndahet tek donatorë të ndryshëm në Kosovë dhe jashtë vendit për të informuar dhe nxitur mbështetje të qëndrueshme për organizatat e grave.
Ky raport u realizua me mbështetje financiare nga The Kvinna till Kvinna Foundation.
