Zyra e Kryeministrit lanson Vlerësimin e Ndikimit Gjinor të programeve për parandalimin dhe reduktimin e barrës administrative në Kosovë

Procesi i zvogëlimit të barrës administrative (ZBA), përfshirë programet qeveritare për periudhat 2022–2027 dhe 2025–2028, synon modernizimin e administratës publike në Kosovë, përmes thjeshtimit të procedurave për qytetarët dhe forcimit të efikasitetit, transparencës dhe besimit publik.

Më 31 mars, Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), me mbështetjen e iniciativave për zvogëlimin e barrës administrative, të bashkëfinancuara nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Gjermania dhe të zbatuara nga GIZ Kosova, lansoi zyrtarisht Vlerësimin e Ndikimit Gjinor të programeve për parandalimin dhe reduktimin e barrës administrative në Kosovë.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është kontraktuar për realizimin e këtij vlerësimi, i cili synon të nxjerrë mësime nga programet e mëparshme për ZBA, me qëllim të sigurimit të integrimit sistematik të barazisë gjinore në planet e ardhshme të veprimit, programet dhe aktivitetet, duke i bërë ato më gjithëpërfshirëse dhe më në përputhje me nevojat e të gjithë qytetarëve.

Ky vlerësim është ndër vlerësimet e para gjithëpërfshirëse ex-post të ndikimit gjinor që realizohen për një strategji ose program qeveritar, përveç atyre që fokusohen drejtpërdrejt në barazinë gjinore. Po ashtu, është vlerësimi i parë i këtij lloji për ndikimin gjinor të ZBA-së në Ballkanin Perëndimor. Si i tillë, shërben edhe si shembull për ministritë e tjera mbi rëndësinë e analizave të tilla, si dhe mbi mënyrën e realizimit dhe përdorimit të tyre për të udhëzuar programet e ardhshme në sektorë të ndryshëm.

Ngjarja e lansimit theksoi rëndësinë e analizës gjinore dhe të mjeteve të ndjeshme gjinore në formësimin e shërbimeve publike më gjithëpërfshirëse, më të qasshme dhe më të drejta.

“Ky Komision [Evropian] synon një Evropë më të thjeshtë, si dhe një administrate më të thjeshtë e më efikase, gjë që është thelbësore. Ne mund ta thjeshtojmë ndjeshëm administratën publike, por njëkohësisht duhet të sjellim vlerë,” tha Hubert Perr, shef i bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë. “Ky dimension gjithëpërfshirës është vërtet kyç: jo vetëm reduktimi i barrës, por edhe integrimi i barazisë gjinore si një element që krijon vlerë të shtuar”, theksoi ai.

Nicole Farnsworth, zëvendësdrejtoreshë dhe hulumtuese kryesore në RrGK, e cila udhëhoqi hartimin e vlerësimit në bashkëpunim të ngushtë me Ariana Qosaj-Mustafa dhe Donjeta Morina, përkrahu komentet e z. Perr, duke theksuar se vlerësimi tregon që analiza gjinore nuk krijon domosdoshmërisht barrë shtesë administrative (siç ndonjëherë perceptohet). Përkundrazi, përmes digjitalizimit të mbledhjes së të dhënave, sigurimit të ndërveprueshmërisë së tyre dhe përdorimit të analizës gjinore në planifikim dhe vlerësim, qeveria mund të hartojë programe më efikase dhe me ndikim më të madh.

Hulumtimi përfshiu analizë gjinore të dokumenteve ligjore, një anketë me 203 zyrtarë publikë (48% gra) dhe 247 qytetarë (75% gra), si dhe 34 intervista me përfaqësues të institucioneve, donatorëve dhe shoqërisë civile (65% gra).

Gjetjet tregojnë se Programi për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022–2027 nuk përfshinte objektiva dhe tregues për barazinë gjinore, të cilët do të mundësonin monitorimin e ndikimit të reformave. Ndërkohë, programi 2025–2028 ka identifikuar disa çështje, si pjesëmarrja më e ulët e grave në trajnime (39% në vitin 2023), gjë që ka mundësuar ndërmarrjen e veprimeve për rritjen e pjesëmarrjes së grave në 45% në vitin 2024.

Analiza thekson se digjitalizimi dhe thjeshtimi i procedurave kanë sjellë përfitime të konsiderueshme, duke ulur barrierat administrative. Shërbime si eKosova kanë lehtësuar qasjen për gratë me mobilitet të kufizuar ose ato që jetojnë në zona rurale, duke reduktuar nevojën për vizita fizike dhe pritje në radhë.

“Gratë kanë më pak kohë, prandaj përmes digjitalizimit të proceseve po u kursejmë kohën e kufizuar që kanë”, vuri në dukje një pjesëmarrëse në hulumtim.

Mrika Berisha nga Zyra për Planifikim Strategjik dha disa shembuj se si iniciativat për ZBA-në kanë ulur barrën për gratë, siç janë shërbimet për ngjarje jetësore, veçanërisht ato që lidhen me regjistrimin e lindjes dhe përfitimet përkatëse. Këto shërbime kanë thjeshtuar hapat administrativë për prindërit e rinj dhe kanë reduktuar nevojën për dorëzimin e përsëritur të të dhënave personale. Po ashtu, praktika e mirë e Suharekës për ofrimin e stimujve për gratë që të regjistrojnë pronën, e cila mund të ketë ndikim më të gjerë në qasjen më të barabartë të grave në pronë, po zgjerohet edhe në komuna të tjera. Ajo theksoi gjithashtu se korniza udhëzuese që del nga ky raport do të shërbejë si bazë për integrimin sistematik të perspektivës gjinore në reformat e ardhshme për ZBA-në.

Megjithëse është arritur përparim i konsiderueshëm, përfitimet nga ZBA varen nga qasja në internet, aftësitë digjitale dhe dizajni i shërbimeve. Gjetjet tregojnë se vetëm një pjesë e procedurave është digjitalizuar plotësisht, ndërsa shumë të tjera ende kërkojnë verifikim fizik. Shumë përdorues kanë nevojë për ndihmë nga anëtarë të familjes ose të tjerë për të aplikuar për shërbime. Edhe pse këto barriera ndikojnë te të gjithë, ato kanë efekt më të theksuar te gratë me përgjegjësi kujdesi, personat me aftësi të kufizuara, banorët e zonave rurale, grupet minoritare (për shkak të gjuhës), të moshuarit dhe personat me nivel më të ulët të arsimit.

“Nëse keni telefon inteligjent, duhet të dini si ta përdorni eKosova me të,” tha një pjesëmarrës në hulumtim. “Ndoshta vetëm 5% e personave me aftësi të kufizuara mund ta bëjnë këtë; është veçanërisht e vështirë për personat e moshuar.”

Ndërkohë, shqyrtimi i concept-dokumenteve dhe politikave zbuloi se politika dhe analizat ligjore rrallë përfshinin vlerësime të detyrueshme të ndikimit gjinor ndërthurës, të cilat do të mundësonin një kuptim më të plotë të mënyrës se si faktorë të ndryshëm shoqërorë ndikojnë në qasjen e grave dhe burrave të ndryshëm në shërbimet publike.

Raporti rekomandon integrimin e vlerësimit të detyrueshëm të ndikimit gjinor në dokumentet e planifikimit të programeve dhe listat e kontrollit, si dhe forcimin e bashkëpunimit me mekanizmat e barazisë gjinore. Ai gjithashtu thekson nevojën për informim më të mirë të grave dhe burrave për mënyrën e përdorimit të shërbimeve të eKosova-s, si dhe për vazhdimin e digjitalizimit dhe thjeshtimit të shërbimeve më të përdorura nga qytetarët. Për shembull, pjesëmarrësit në hulumtim theksuan se reformat duhet të vazhdojnë të përqendrohen në procedurat e lidhura me ngjarjet jetësore, si integrimi i regjistrimit të vdekjes me të drejtat e trashëgimisë (për të mbrojtur qasjen e barabartë të grave në trashëgimi), certifikatat online ose më të qasshme për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, si dhe qasje më të lehtë në shërbimet e mbrojtjes sociale, shëndetësisë, punësimit dhe licencimit profesional.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, theksoi se procesi i zvogëlimit të barrës administrative është reformë kyçe e administratës publike dhe digjitalizimit. “Raporti njeh progresin që kemi arritur në avancimin e qasjes sonë gjithëpërfshirëse ndaj reformës së administratës publike dhe ofrimit të shërbimeve publike përmes modelit të bazuar në ngjarje jetësore,” tha ai, duke dhënë si shembull shërbimet e integruara të lidhura me lindjen, të cilat u lansuan vitin e kaluar. Këto shërbime “mundësojnë zvogëlimin e barrës administrative për prindërit e rinj – në veçanti për gratë shtatzëna dhe lehon, shpjegoi Jagxhiu. “Për më tepër, dizajnimi i këtyre shërbimeve është bazuar në procesin e të menduarit projektues, ku janë involvuar prindër nga kategori të ndryshme të popullsisë, përfshirë edhe nënat vetushqyese.” Jagxhiu përfundoi duke theksuar se qëllimi është që praktikat e tilla të mira të mos mbeten raste të izoluara. “Qëllimi ynë që adresimi i nevojave specifike të grave dhe grupeve të cenueshme të inkorporohet në mënyrë sistematike në reformat administrative,” tha ai, duke shtuar se Ky raport nuk shënon fundin e një procesi, por fillimin e një faze të re, ku gjetjet dhe rekomandimet do të përkthehen në veprime konkrete në politikat, programet dhe shërbimet.

Përfaqësuesi i SIGMA-s përgëzoi qeverinë për këtë analizë domethënëse dhe tha se gjetjet do të jenë të dobishme në punën e tij me qeverinë lidhur me reformat e administratës publike drejt një administrate më të thjeshtë, por edhe më efikase dhe me vlerë për qytetarët.

Prezantimi mblodhi së bashku aktorë kryesorë nga Qeveria e Kosovës, përfshirë Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Zyrën për Qeverisje të Mirë, si dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën Gjermane, GIZ-in dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Raporti do të publikohet së shpejti.