Forcimi i përgjigjeve ndaj ushtruesve të dhunës ndaj grave: RrGK merr pjesë në konferencën ndërkombëtare në Budapest

Në javën e parë të qershorit, Këshilli i Evropës mbështeti një delegacion të autoriteteve lokale dhe palëve kryesore nga Kosova për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Drejt programeve efektive për autorët e dhunës në përputhje me standardet evropiane”, e cila u mbajt në Budapest, Hungari.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Adelina Berisha, Drejtoreshë e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK).

Konferenca mblodhi së bashku politikëbërës, përfaqësues të institucioneve të zbatimit të ligjit, shërbimet mbështetëse për viktimat, lehtësues të programeve për ushtruesit e dhunës dhe organizata të shoqërisë civile nga e gjithë Evropa, me qëllim shkëmbimin e përvojave, diskutimin e sfidave dhe forcimin e bashkëpunimit në adresimin e dhunës ndaj grave.

Diskutimet u fokusuan në përmirësimin e politikave dhe praktikave, hartimin e programeve efektive dhe të sigurta për ushtruesit e dhunës, forcimin e bashkëpunimit me shërbimet e specializuara për mbështetjen e viktimave, si dhe në mekanizmat e vlerësimit, monitorimit dhe llogaridhënies.

Duke reflektuar mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, Berisha theksoi vlerën praktike të diskutimeve për punën e vazhdueshme të RrGK-së:

“Çdo panel dhe grup punues ishte shumë relevant për punën tonë. Mësova shumë, por ajo që vlerësova më së shumti ishte theksi i vendosur në përfshirjen e viktimave dhe shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat gjatë vlerësimit të programeve për autorët e dhunës. Po ashtu, ishte shumë e rëndësishme nënvizimi i nevojës që të ketë buxhete të ndara dhe të financuara nga shteti për shërbimet për viktimat dhe për programet për autorët e dhunës, në mënyrë që fondet e dedikuara për viktimat të mos keqpërdoren për programet që synojnë autorët e dhunës.”

Konferenca shërbeu gjithashtu si një mundësi që përfaqësuesit nga Kosova të prezantojnë përparimin e arritur në adresimin e dhunës ndaj grave. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë prezantuan progresin e bërë përmes Programit Kombëtar për Trajtimin e Autorëve të Dhunës ndaj Grave, i cili është zhvilluar dhe po zbatohet me mbështetjen e Këshillit të Evropës.

RrGK mbetet e përkushtuar në avokimin për politika dhe shërbime të bazuara në nevojat e të mbijetuarave, si dhe në mbështetjen e qasjeve të bazuara në dëshmi që kontribuojnë në parandalimin e dhunës dhe rritjen e përgjegjësisë së autorëve të saj.