Vrasja në Gjilan dhe Vitomiricë janë një tjetër kujtesë e dhimbshme për urgjencën që Kosova ta trajtojë femicidin si fenomen të rrënjosur në pabarazinë gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit.
Edhe pse legjislacioni ynë e njeh gjininë si rrethanë rënduese, kjo nuk mjafton nëse vrasjet e grave nuk hetohen dhe trajtohen në kontekstin e dhunës me bazë gjinore dhe rrethanave që u kanë paraprirë.
Kosovës i duhet urgjentisht një përkufizim ligjor i femicidit dhe krijimi i një mekanizmi Femicide Watch për monitorimin dhe analizimin sistematik të rasteve, identifikimin e dështimeve institucionale dhe parandalimin e vrasjeve të ardhshme. Këto masa janë në përputhje me frymën dhe kërkesat e Konventës së Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të kryerësve.
Një grua nuk duhet ta ketë raportuar dhunën që ajo të merret seriozisht nga drejtësia. Mungesa e një raportimi paraprak nuk është dëshmi e mungesës së dhunës. Institucionet duhet të hetojnë historikun e marrëdhënies, kërcënimet, kontrollin dhe format e tjera të mundshme të dhunës, në mënyrë që përvojat e gruas para vrasjes të merren parasysh në hetim dhe në përcaktimin e përgjegjësisë penale.
Drejtësia nuk mund të kufizohet vetëm te momenti i vrasjes. Ajo duhet ta shqyrtojë kontekstin e plotë të dhunës dhe çdo dështim institucional që mund të ketë kontribuar në humbjen e jetës.
Më 25 nëntor, RrGK fton të gjithë qytetarët dhe qytetaret, organizatat dhe institucionet t’i bashkohen protestës gjithëpopullore kundër vrasjes së grave dhe dhunës me bazë gjinore. Le ta kthejmë solidaritetin në veprim dhe të kërkojmë drejtësi, llogaridhënie dhe masa konkrete për parandalimin e femicideve.
Asnjë grua më pak. Asnjë vrasje pa drejtësi.
Pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, RrGK kërkoi hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e mundshme të Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale. RrGK ka mbështetur të gjitha protestat e thirrura kundër femicidit, dhe do të vazhdojë t’i mbështes derisa institucionet të ndërmarrin veprime konkrete.
https://www.facebook.com/share/p/1BcNJb7Mnd
Gjithashtu, RrGK u takua me Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të diskutuar avancimin e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore, si dhe nevojën për llogaridhënie institucionale. RrGK kërkoi veprim urgjent nga Kuvendi për adresimin e femicidit, forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe sigurimin e zbatimit të ligjeve dhe politikave që garantojnë sigurinë dhe të drejtat e grave.
