Rrjeti i Grave të Kosovës kontribuon në Shkollën për Aktivizëm të KCSF-së

Me datë 8-9 korrik, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati kënaqësinë të kontribuojë në edicionin e pestë të Shkollës për Aktivizëm, të organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), konkretisht në modulin për integrimin gjinor.

Nicole Farnsworth dhe Laurita Morina nga RrGK bashkëudhëhoqën punëtorinë, e cila mblodhi 13 përfaqësues të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile (OSHC) që veprojnë në komuna të ndryshme të Kosovës. Pjesëmarrësit ndanë përvoja nga puna e tyre me grupe dhe sektorë të ndryshëm.

Pjesëmarrësit diskutuan konceptet kryesore lidhur me integrimin gjinor në veprimet dhe politikat e tyre, përfshirë mënyrën se si të integrohet perspektiva gjinore në politikat organizative dhe si të përfshihet gjinia në planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e programeve të tyre. Ata diskutuan strategji dhe metoda për identifikimin e nevojave të ndryshme të grave, burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm, si dhe mënyrën se si mund të sigurojnë që aktivitetet dhe shërbimet e tyre të jenë gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme gjinore, apo transformuese — duke transformuar stereotipet dhe normat tradicionale që qëndrojnë në themel të pabarazive të vazhdueshme gjinore. Gjithashtu, ata diskutuan për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe strategjitë për avokim lidhur me buxhetet e vitit 2027.

Përmes diskutimeve të hapura, shembujve praktikë dhe ushtrimeve në grupe, pjesëmarrësit reflektuan mbi mënyrat se si perspektiva gjinore mund të integrohet në strukturat organizative, hartimin e projekteve, komunikim, buxhetim, monitorim dhe vlerësim. Ata ndanë përvoja nga organizatat e tyre, mënyra për tejkalimin e sfidave të hasura deri tani, si dhe ide konkrete se si gjinia mund të përfshihet më mirë në punën e përditshme të shoqërisë civile.

Gjatë sesioneve, njëra nga pjesëmarrëset tha: “Edhe pse kisha tashmë disa njohuri për integrimin e perspektivës gjinore, ky trajnim më ndihmoi të kuptoj se sa i ndërlikuar është ky proces dhe sa i rëndësishëm është për punën e organizatave të shoqërisë civile.”

Falënderojmë KCSF-në për bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm drejt qëllimit të përbashkët për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë dhe më gjerë! Besojmë se bashkëpunime të tilla janë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile si partnere në avancimin e barazisë gjinore në mënyrë praktike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Shkolla e Aktivizmit organizohet në kuadër të Qendrës Burimore për Shoqërinë Civile në Kosovë, që zbatohet nga KCSF dhe CBM dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia.