Rrjeti i Grave të Kosovës finalizon Strategjinë për vitet 2027–2030 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), më 21 nëntor, në hapësirat e Stacionit Kulturor në Prishtinë, finalizoi Strategjinë për vitet 2027–2030. Me mbështetjen e The Sigrid Rausing Trust, ky organizim i rëndësishëm bëri bashkë organizatat anëtare dhe anëtaret e Bordit të RrGK-së. 

Takimi u hap me fjalë hyrëse nga drejtorja e RrGK-së, Nicole Farnsworth, e cila theksoi rëndësinë dhe ndikimin e secilit program në mbrojtjen dhe fuqizimin e grave në Kosovë, duke rikujtuar vizionin e RrGK-së: një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë. 

Rrugëtimi drejt strategjisë së re të RrGK-së ka filluar shumë më herët. Fillimisht është analizuar situata, përfshirë ndryshimet dhe sfidat kryesore në programet e strategjisë. Së bashku me organizatat anëtare është hartuar drafti i parë i strategjisë përmes disa takimeve. Më pas janë konsultuar partnerët dhe akterët kyç, komentet e të cilëve janë përfshirë në draftin përfundimtar. 

Gjatë këtij takimi, anëtaret e pranishme u ndanë në grupe punuese për secilin nga shtatë programet, për të finalizuar dhe për t’u dakorduar mbi objektivat dhe rezultatet për të cilat do të punohet së bashku gjatë katër viteve të ardhshme. Pas përfundimit të diskutimeve me anëtaret e RrGK-së, kësisoj, u finalizua strategjia për këto vite, dhe rrjedhimisht programet pasojnë si më poshtë.  

Programi Jeta pa dhunë me bazë gjinore synon përmirësimin e parandalimit dhe reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore, përmes forcimit të kornizës ligjore dhe reagimit institucional, si dhe ofrimit të mbrojtjes dhe mbështetjes cilësore për viktimat. 

Programi Avancimi i të drejtave për mbrojtje sociale dhe kujdes shëndetësor synon përmirësimin e qasjes së grave dhe grupeve të margjinalizuara në shërbimet shëndetësore dhe sociale, duke adresuar pengesat sistemike dhe praktike që kufizojnë realizimin e të drejtave të tyre. 

Programi Avancimi i fuqizimit ekonomik të grave synon krijimin e mundësive të barabarta ekonomike për gratë dhe burrat, duke përmirësuar kushtet për punësim, pavarësi financiare dhe qasje në pronë e vendimmarrje ekonomike. 

Programi Edukimi që transformon normat gjinore synon përmirësimin e teksteve shkollore dhe praktikave të mësimdhënies, përmes një arsimi cilësor që sfidon stereotipet dhe transformon normat gjinore që nga mosha e hershme. 

Programi Gratë në politikë, paqe dhe vendimmarrje synon rritjen e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në politikë, vendimmarrje dhe proceset e paqes, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ky synim ndërsektorial fokusohet në forcimin e lëvizjes feministe, rritjen e pjesëmarrjes dhe solidaritetit, përmirësimin e mirëqenies së organizatave të grave dhe krijimin e kushteve më të favorshme për financimin e tyre. 

Programi Zbutja e ndryshimeve klimatike dhe përshtatja ndaj tyre synon që nevojat e ndryshme të grave dhe burrave të përfshihen në politikat mjedisore dhe klimatike, duke promovuar vendimmarrje dhe nisma të bazuara në dëshmi dhe të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore. 

Në fund, të gjithë së bashku shijuam një drekë të përgatitur me shumë përkushtim nga anëtarja e RrGK-së, Duart e Vyera “Dora”.

RrGK do të vazhdojë të angazhojë anëtaret e saj dhe të forcojë bashkëpunimin me partnerët, duke punuar së bashku, në frymën e solidaritetit, për zbatimin dhe përmbushjen e objektivave të Strategjisë 2027–2030.