Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) po punon me dhjetë komuna për të forcuar kapacitetet e institucioneve lokale në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe në trajtimin e koordinuar të rasteve. Gjatë nëntorit, puna me Suharekën, Ferizajn, Novobërdën dhe Gjilanin u përqendrua në hartimin e planeve me përgjegjësi dhe afate të qarta, rifunksionalizimin e mekanizmave koordinues dhe zbatimin praktik të procedurave për trajtimin dhe referimin e rasteve, përfshirë dhunën me bazë gjinore të lehtësuar nga teknologjia.
Qëllimi është që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të mos mbetet vetëm në nivel formal, por të përkthehet në veprime konkrete, në mënyrë që gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë të marrin mbrojtje dhe mbështetje në kohë.
Në Suharekë, RrGK dhe Komuna u fokusuan në përkthimin e gjetjeve të vlerësimit të nevojave në hapa konkretë. Më 5 dhe 6 nëntor, anëtaret dhe anëtarët e Mekanizmit Koordinues Komunal punuan në hartimin e Planit të Veprimit, duke përcaktuar prioritetet për parandalimin e dhunës, si dhe mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave. Plani parasheh përcaktimin e institucionit përgjegjës për secilin veprim, afatet e zbatimit, burimet financiare dhe mënyrën e monitorimit. Kjo do t’i mundësojë mekanizmit të përcjellë progresin, të identifikojë sfidat dhe të ndërmarrë veprime aty ku ka ngecje.
Një tjetër nevojë e identifikuar në Suharekë ishte forcimi i kapaciteteve të anëtareve dhe anëtarëve të mekanizmit për trajtimin e dhunës me bazë gjinore të lehtësuar nga teknologjia. Gjatë trajnimit të mbajtur më 23 nëntor, pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit shqyrtuan mënyrat e identifikimit dhe dokumentimit të këtyre rasteve, përdorimin e provave digjitale dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet institucioneve. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së dokumentimit dhe referimit të saktë të rasteve, pasi veprimi i një institucioni ndikon drejtpërdrejt në mundësitë e institucionit pasues për të ofruar mbrojtje dhe mbështetje.
Në Ferizaj, trajnimi u përqendrua në zbatimin e përgjegjësive ligjore gjatë menaxhimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore. Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit shqyrtuan se kur dhe si duhet të bëhet referimi i rasteve, si dhe mënyrat e bashkëpunimit për të siguruar ofrimin e shërbimeve të nevojshme. Në qendër të diskutimeve ishte siguria e viktimës, nga kontakti i parë me institucionin deri te marrja e shërbimeve. Në secilën fazë, institucionet duhet të marrin vendime që respektojnë të drejtat e saj dhe u përgjigjen nevojave të identifikuara.
Përveç kapaciteteve individuale të institucioneve, rëndësi të veçantë ka edhe funksionimi i rregullt i mekanizmave që mundësojnë koordinimin e tyre. Në Novobërdë, më 24 nëntor, RrGK mbështeti procesin e rifunksionalizimit të Mekanizmit Koordinues Komunal. Gjatë takimit u shqyrtua gjendja aktuale e mekanizmit, përbërja e tij dhe hapat e nevojshëm për të siguruar funksionimin e rregullt. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në përgjegjësitë e institucioneve anëtare dhe rëndësinë e angazhimit të tyre të vazhdueshëm në parandalimin e dhunës, si dhe në mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave dhe të mbijetuarave.
Më 27 nëntor, puna vijon në Gjilan, ku RrGK dhe Komuna do të mbajnë një trajnim mbi legjislacionin, menaxhimin dhe referimin e rasteve, si dhe procedurat për ofrimin e shërbimeve. Përmes ushtrimeve praktike, anëtaret dhe anëtarët e mekanizmit do të shqyrtojnë mënyrat e zbatimit të qasjes me viktimën në qendër gjatë trajtimit të rasteve, duke u bazuar në sigurinë, të drejtat dhe nevojat e saj.
Puna në këto katër komuna synon të sigurojë që koordinimi institucional të funksionojë në praktikë. Kur një grua kërkon ndihmë, institucioni që e pranon rastin duhet të dijë si të veprojë, institucionet e tjera duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe referimi duhet të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve. Kështu, mbrojtja dhe mbështetja nuk varen nga veprimi i një institucioni të vetëm, por nga përgjegjësia e përbashkët dhe reagimi në kohë i të gjitha institucioneve të përfshira.
Kjo nismë mbështetet nga East-West Management Institute (EWMI), në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve dhe mekanizmave institucionalë për adresimin e dhunës me bazë gjinore.
