“Count me IN!” Në kuadrin e konsorciumit, u mblodhën më shumë sesa 100 aktivistë dhe donatorë nga fusha të ndryshme nga e gjithë bota në një mbledhje të quajtur “Para dhe lëvizje”, nga data 11 deri 13 prill 2018 në Naivashë të Keniës, për të diskutuar se si, të gjithë bashkë, mund “të krijojmë një të ardhme ku lëvizjet feministe janë të fuqishme, të rimëkëmbëshme dhe ku ato lulëzojnë”. Pas punës sonë avokuese lidhur me financimin për organizatat e grave dhe qasjen disi novatove të Fondit të Grave të Kosovës, Nicole Farnsworth-i, drejtoreshë e programit dhe hulumtuese kryesore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK), u ftua të marrë pjesë.
Ditën e parë ne “u orientuam”, duke diskutuar pritshmëritë si dhe disa sfida me të cilat përballen lëvizjet feministe dhe aktivistët individë dhe që kanë të bëjnë me:
- Trupin e njeriut: shëndeti mendor për aktivistët dhe rraskapitjen e aktivistëve; autonomia mbi trupat tanë, sidomos për personat lesbike, biseksualë, gej, transgjinorë dhe ndërgjinorë; qasja për gratë me aftësi të kufizuara; siguria fizike për aktivistët që përballen me kërcënime të sigurisë.
- Pushtetin dhe qeverisjen, midis politikave të rregullimeve strukturore, derregullimi i bizneseve të mëdhenj, rritja e ndikimit të aktorëve privatë tek institucionet shtetërore dhe ekstremizmi fetar – elemente këto që udhëheqin disa qeveri dhe sigurojnë “arsyetim” për “luftën ndaj terrorit” (dhe përkufizimeve të tij subjektive) për qeveri të tjera – duke kontribuar kështu në rritjen e shpenzimeve për “sigurinë” dhe mbikëqyrjen (duke përfshirë edhe mbikëqyrjen e aktivistëve).
- Njerëzit dhe demografia, duke përfshirë edhe kontekstin e migrimit.
- Teknologjinë, e cila mund të përdoret për të përkrahur, por edhe për të minuar organizimin e feministëve.
- Planetin, duke përfshirë mënyrën se si kontribuon grumbullimi i pasurisë në pabarazi dhe se si modeli aktual ekonomik, ku përfshihen industritë shfrytëzuese të nëntokës, dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme tokën dhe komunitetet.
Në ditën e dytë, “u çorientuam”, kur u futëm në tre skenarë të modeluar në mënyrë krijuese lidhur me atë se si do të dukej bota në vitin 2035, duke u mbështetur në hulumtimet që kanë të bëjnë me prirjet reale të kohëve tona. Në një skenar, u futëm në një dhomë ku planeti ishte në krizë, ku oqeanet ishin mbushur me plastikë, qytetet i kishte mbuluar uji, ndërsa të gjitha financimet qeveritare ishin kanalizuar për të rindërtuar infrastrukturën pas çdo emergjence të njëpasnjëshme mjedisore. Cili ishte roli i aktivistëve feministë në këtë katastrofë mjedisore, dhe cili është roli ynë i tanishëm për parandalimin e këtij skenari?
Në skenarin e dytë, u futëm në një dhomë të errët, muret e së cilës dukeshin si pamjet në “Star Wars”. Kjo na la të kuptojmë se globalizimi i teknologjisë dhe “kompania” që e zotëronte, kishte pushtuar botën, duke zëvendësuar kështu komb-shtetet. Aktivistët feministë kishin arritur vetëm sa të organizoheshin në mënyrë të paligjshme, kryesisht në nivelin komunitar. Ata përbëheshin nga hakerë feministë dhe përdornin “aktivizmin akupunturë”: futjen e aktivistëve në Kompani me qëllim zhbërjen e sistemit. Ky skenar ngriti pyetje, p.sh., se si mundet të zhbëjë një organizatë e vogël dhe e kufizuar brenda një hapësire të vogël gjeografike të zhbëjë hierarki të stërmëdha pushteti dhe t’u kërkojë llogari kompanive botërore. Çfarë duhet të bëjnë tani aktivistët për t’u përgatitur për ndryshimet që po sjell teknologjia, duke përfshirë edhe rritjen e pandalur të mbikëqyrjes? Si mund ta përdorim teknologjinë për të mbështetur kauzën tonë?
Në skenarin e tretë, hymë në një skenë partish: feminizmi kishte hyrë në sistemin e OKB-së dhe kulturën popullore, me marketing mrekullueshëm, ceremoni përrallore çmimesh, dhe festa për financimin nga komuniteti i nismave të ndryshme të feministëve. Financimi i feminizmit ishte në modë. Nga të tre skenarët, ky dukej skenari i mundshëm më ideal. Megjithatë, aktivistët vazhdonin të konkurronin për burime, dhe nuk dinim asgjë për strukturat e pushtetit që ekzistonin në atë kohë. Dhe veç kësaj, kush ishin ata në dhomë që i kishin xhepat plot me para dhe ku i kishin marrë këto para? Si ta shmangim konkurrencën groteske për fonde dhe/ose komodifikimin e organizimeve feministe?
Në ditën e tretë, “shpalosëm krijimtarinë dhe u zotuam”.AWID-i paraqiti një model fillestar të “ekosistemit të financimit të feminizmit”, përmes të cilit do të synohej të arriheshin forma të ndryshme të organizimeve feministe dhe të krijimit të lëvizjes feministe, në drejtim të ndryshimeve transformuese të feminizmit, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë botëror. Ky model do të përbëhej nga një qasje gjithëpërfshirëse; ndërlidhshmëria midis aktorëve; pasqyrim të kontekstit dhe mjedisit; kompleksiteti, kontaktimi me aktorë të ndryshëm; dhe do të ishte i nxitur nga lëvizja. Prandaj, themeluesit u futën në një dhomë ndërsa aktivistët u mblodhën në një tjetër, për të krijuar strategji dhe për të identifikuar angazhimet konkrete për të ardhmen.
“Ne u bëjmë thirrje donatorëve të angazhohen për trajtimin e pabarazive në pushtet, të cilat ekzistojnë në financim: kalimi nga sigurimi i burimeve përmes konkurrencës, gjë që i ndan lëvizjet e feministëve, tek ofrimi i burimeve për përkrahjen e solidaritetit, gjë që kontribuon në drejtësi,” thuhej në thirrjen për veprim, të bërë nga grupi i aktivistëve për “Ndikimin te donatorët”, pjesë e të cilit u bë edhe RRGK-ja. Gjithashtu, aktivistët kërkuan:
Përkrahje politike nga donatorët për të avokuar tek donatorë të tjerë: 1) që lëvizjet feministe të sjellin ndryshime reale; 2) për grante afatgjata me të cilat përkrahen strategjitë vetjake të individëve; 3) për përkrahje institucionale, dhe 4) për më pak procedura aplikimi dhe raportimi që marrin shumë kohë, meqenëse këto pakësojnë kohën që përdoret për aktivizmin.
Përkrahje për rrjetëzim të vazhdueshëm ku lidhet organizimi i feminizmit në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global (duke siguruar që të jetë gjithëpërfshirës dhe jo elitist), duke përfshirë përkrahjen për hapësira si kjo mbledhje ku aktivistët feministë mund të hartojnë një strategji më të qartë për organizimin dhe identifikimin e aleatëve.
Shmangie të nxjerrjes së njohurive të aktivistëve (p.sh. gjatë hartimit të programeve, konsultimeve, etj.), pa u dhënë kompensim për kohën dhe pa u njohur si duhet ekspertizën e tyre.
Përkrahje e hulumtimit dhe dëshmive për “dhënë shembull” për financimin e lëvizjeve feministe, duke përfshirë një ekosistem të shëndetshëm të llojeve të ndryshme të financimit që mbërrin në forma të ndryshme të organizimeve feministe.
Ky grup diskutoi edhe për atë se çfarë mund të bëjnë aktivistët: të realizojnë mbledhje fondesh mbështetur në solidaritet; të përkrahin njeri-tjetrin, edhe përmes avokimit, për të pasur qasje në burime (në vend që të konkurrojnë me njeri-tjetrin). Grupe të tjera të punës, të përbërë nga aktivistë, diskutuan, ndër të tjerash, integrimin e vëmendjen ndaj shëndetit të aktivistëve, duke përfshirë rraskapitjen në punë, në kuadrin e mekanizmave të financimit, si dhe modalitete për vetëfinancim.
Donatorët diskutuan për këto tema:
- Si mund të përmirësojnë koherencën e brendshme të politikave, për të siguruar që burimet e tyre të financimit nuk minojnë kauzat e feminizmit, dhe që i përkrahin qëllimet e organizimeve feministe në dialogët politikë dhe ata të politikë-bërjes?
- Si mund të ndikojnë te donatorë të tjerë për të financuar lëvizjet feministe?
- Si mund të parandalojnë pushtimin e hapësirës (dhe burimeve) të aktivistëve feministë për zhvillimin e organizimeve nga ana e organizatave ndërkombëtare të mëdha?
- Si mund të bashkëpunojnë për të përdorur prova me qëllim shkatërrimin e miteve sipas të cilave financimi i aktivizmit feminist është “tepër i rrezikshëm”?
- Si mund të mblidhen bashkë për të financuar bashkërisht lëvizjet feministe në një mënyrë më të mirë?
Pjesëmarrësit shkruan komentet e tyre në kartolina, për t’ua kujtuar pas disa muajsh zotimet që kanë bërë.
Në përgjithësi, kjo mbledhje ishte një përvojë që na dha energji dhe na fuqizoi. Organizuesit ia dolën me sukses të dekonstruktonin marrëdhëniet e pushtetit që ekzistojnë shpeshherë midis donatorëve dhe aktivistëve, duke ofruar një hapësirë për të menduar dhe hartuar strategji së bashku për financimet e lëvizjeve feministe në të ardhmen, si dhe për të krijuar aleanca të ndryshme për qëllime të përbashkëta.
The Count Me IN! Koalicioni që organizoi këtë eveniment përfshin MamaCash-in, CREA-n, Shoqatën për të Drejtat e Grave në Zhvillim (AWID), Fondi për Veprim Urgjent i Afrikës , Fondi “Red Umbrella” , Fondi për Veprim Urgjent i Amerikës Latine & Karaibeve dhe Just Associates (JASS).