Aktivistet për të drejtat e grave inkurajojnë angazhimin e vazhdueshëm të Suedisë në vendet e Ballkanit Perëndimor

Më 21 shkurt, një delegacion i aktivisteve për të drejtat e grave nga vendet e Ballkanit Perëndimor u takua me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë në Stokholm të Suedisë për të diskutuar rreth gjendjes së aktivisteve për të drejtat e grave në rajon.

Ky takim u zhvilluar në kuadër të hartimit të Strategjisë së re të Ministrisë së Punëve të Jashtme për Ballkanin Perëndimor. Aktivistet inkurajuan qeverinë suedeze që të vazhdojë me Politikën e saj të jashtme feministe të guximshme dhe me prioritetet e Strategjisë së saj të tanishme, të cilat mbeten tejet relevante: llogaridhënie demokratike; rritje e besimit dhe pajtimit, të drejtat e njeriut, barazia gjinore dhe mos-diskriminimi; dhe një shoqëri civile pluraliste, veçanërisht një shoqëri civile që i njeh dhe i përfshinë aktivistet për të drejtat e grave.

Në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Nicole Farnsworth foli për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme politike të Suedisë në promovimin e të drejtave të grave si të drejta të njeriut në rajon.

“Suedia ka qenë njëra ndër aleatet tona më të fuqishme në çuarjen përpara të reformave gjatë 10 viteve të fundit”, theksoi Farnsworth.

Suedia, përmes ambasadave të saj, Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) dhe Fondacionit “Kvinna till Kvinna”, ka ofruar mbështetje të rëndësishme dhe afatgjatë politike e financiare për organizatat që merren me të drejtat e grave, duke iu mundësuar të sjellin ndryshime pozitive në vendet dhe komunitetet e tyre.

“Organizatat për të drejtat e grave kanë qenë një forcë udhëheqëse  për ndërtimin e demokracive të qëndrueshme, krijimin e paqes dhe avancimin e të drejtave të njeriut, ndonjëherë duke qenë zëri kritik dhe vëzhguesi i vetëm që kërkon llogaridhënie nga qeveritë e tyre”, tha Farnsworth.

Maja Raicevic nga Qendra për të Drejtat e Grave në Mal të Zi shpjegoi që, për shembull, grupet e pavarura për të drejtat e grave luajnë një rol kyç në ofrimin e shërbimeve për të mbijetuarat nga dhuna dhe në të njëjtën kohë kërkojnë llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë. Puna e tyre diagnostikon çështje serioze në sistemin e drejtësisë dhe në shërbimet shtetërore, e cila më pas mund të përdoret për të kërkuar llogaridhënie nga qeveritë.

Më tej, Farnsworth vuri në pah shumë detyra tjera që grupet për të drejtat e grave i kryejnë: “Ne kemi kontribuar me hulumtime të rëndësishme në sigurimin e informatave për procese demokratike dhe ligje të reja. Madje ne ndonjëherë edhe kemi shkruar ligje dhe politika”, tha ajo. “Aktivistet gjithashtu kanë mbështetur integrimin e perspektivës gjinore në procesin e aderimit në BE; kanë ngritur vetëdijen rreth vlerave demokratike dhe barazisë gjinore; kanë lehtësuar konsultimet publike dhe angazhimin qytetar, veçanërisht të grave dhe kanë ndërtuar paqe midis komuniteteve të ndara”, vazhdoi ajo.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve të rëndësishme, ende ekzistojnë disa sfida në rajon, i cili mbetet mjaft i paqëndrueshëm, theksuan aktivistët.

“Demokracia vazhdon të jetë e kërcënuar nga sistemi patriarkal, nacionalizmi dhe korrupsioni”, theksoi Farnsworth.

Marija Bashevska nga “Reaktori” në Maqedoni foli për sfidat e nacionalizmit dhe ndikimin këtyre sfidave në punën e aktivisteve për të drejtat e grave, por edhe në gratë individuale si qytetare.

Zëri i grave rregullisht lihet jashtë negociatave, shpjegoi Bojana Mumin nga Fondacioni “Kvinna till Kvinna” në Bosnje dhe Hercegovinë. Snezhana Jakovljevic nga organizata “Sandglass” në Serbi theksoi se prioritetet e grave nuk janë marrë parasysh në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, një pikë kjo që RrGK-ja shpesh e ka theksuar.

Çështjet e mëdha politike sikurse shkëmbimi i kufijve, kërcënimet potenciale me luftë dhe negociatat vazhdojnë ta dominojnë hapësirën publike, theksuan aktivistet. Duke e mbajtur fokusin në këto “kriza politike”, udhëheqësit politikë e largojnë vëmendjen e publikut nga çështjet reale që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve, siç janë shkalla e lartë e papunësisë, varfëria, sistemet e dobëta shëndetësore dhe arsimore, ku të gjitha këto ndikojnë në veçanti te gratë.

Për më tepër, ndoshta për shkak që aktivistet për të drejtat e grave janë ndër zërat e pakët që kërkojnë llogaridhënie nga zyrtarët, disa aktiviste janë shpallur “armike të shtetit”. Aktivistet treguan për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre, duke përfshirë edhe dhunë dhe kërcënime nga politikanët të cilët kanë mbetur plotësisht të pandëshkuar; për politikat dhe praktikat korruptuese të prokurimit që e pengojnë qasjen e tyre në burime dhe influencë; dhe për politika që përpiqen të kontrollojnë trupat e grave me argumente nacionaliste për rritjen e shkallës së natalitetit.

Ndërkohë që, shumë financues të jashtëm e kanë ndërprerë financimin e organizatave për të drejtat e grave në rajon, me idenë që qeveritë duhet të marrin këtë përgjegjësi. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur në praktikë. Të gjitha këto çështje, ndër të tjera, kanë kontribuar në atë që është quajtur “hapësirë e tkurrur” për aktivistet për të drejtat e grave.

Në këtë drejtim, mbështetja e vazhdueshme politike e Suedisë në avancimin e të drejtave të grave si të drejta të njeriut në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe veprimin e thjeshtë të pranisë fizike pranë aktivisteve për të drejtat e grave, është përkrahje me rëndësi kyçe. Plani i veprimit gjinor i BE-së, i shoqëruar me kontribute financiare të vazhdueshme për punën e grupeve të pavarura për të drejtat e grave paraqet një investim kyç në stabilitetin e rajonit dhe në këtë mënyrë edhe të Evropës, argumentuan aktivistet.

“Suedia, përmes SIDA-s dhe Fondacionit “Kvinna till Kvinna”, ka qenë një shembull për t’u ndjekur midis donatorëve në sigurimin e mbështetjes afatgjatë dhe fleksibile që i plotëson nevojat tona dhe na mbështetë në realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta të forcimit të demokracisë dhe avancimit të barazisë gjinore dhe të drejtave njeriut në vendet tona”, tha Farnsworth. “Ne shpresojmë që mbështetja e drejtpërdrejtë për organizatat që merren me drejtat e grave dhe për fondet rajonale të grave, me qasjen e tyre të veçantë, do të na mundësojë të vazhdojmë t’i shtyjmë përpara reformat kyçe”.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme falënderuan aktivistet që i ndanë me ta përvojat e tyre dhe theksuan që mbështetja e organizatave për të drejtat e grave do të mbetet prioritet i Suedisë në të ardhmen.

Ky takim ishte pjesë e një udhëtimi të përkrahur nga Fondacioni “Kvinna till Kvinna”, gjatë të cilit organizata për të drejtat e grave nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) po ashtu krijuan strategji për nisma të ardhshme të përbashkëta avokuese. Kjo paraqet një vazhdim të bashkëpunimit të tyre të qëndrueshëm drejt integrimit të perspektivës gjinore në proceset e aderimit të vendeve në BE. Nga organizatat anëtare të RrGK-së, pjesëmarrëse tjera ishin: Vetone Veliu nga Shoqata për të Drejta të Grave në Mitrovicë dhe Luljeta Demollli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Organizatat për të drejta të grave në rajon kanë bashkëpunuar në arritjen e paqes midis grupeve të ndryshme etnike, kombëtare dhe të tjera që nga vitet e 90-ta. Fondacioni “Kvinna till Kvinna” ka qenë një nga partnerët e tyre për periudhën më të gjatë kohore.

Kvinna till Kvinna/Voskre Naumoska Ilieva