Kosova mirëpret takimin e parë të Partneritetit RESPONDER, bashkë-planifikon hulumtimin për shfrytëzimin dhe abuzimin seksual nga personeli i misioneve humanitare dhe paqeruajtëst

Më 15-17 prill, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, mirëpriti në Kosovë anëtarët e Partneritetit “Shfrytëzimi dhe Abuzimi Seksual i kryer nga Personeli Reagues në Kriza Humanitare” (RESPONDER). Përveç ekspertizës së tyre, anëtarët e delegacionit sollën një energji të fuqishme feministe dhe frymë solidariteti që rezonon thellë me RrGK-në, duke riafirmuar fuqinë e veprimit kolektiv në avancimin e drejtësisë dhe llogaridhënies.

Partneriteti RESPONDER është duke planifikuar një hulumtim që do të sigurojë informata për përpjekjet për të luftuar shfrytëzimin dhe abuzimin seksual nga personeli humanitar dhe paqeruajtës. Ky partneritet është duke kryer hulumtime në gjashtë vende me histori të ndërhyrjeve humanitare dhe të OKB-së, duke përfshirë Kosovën, Republikën Demokratike të Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore, Libanin, Sudanin e Jugut dhe Haitin. RrGK dhe Universiteti i Prishtinës po kontribuojnë me ekspertizën e tyre dhe po bashkëpunojnë në hulumtimin e RESPONDER. Ky takim i parë shërbeu për të forcuar bashkëpunimin, për të thelluar kuptimin e kontekstit dhe për të çuar përpara procesin hulumtues.

Të mërkurën, më 15 prill, delegatët e RESPONDER u njohën me Prishtinën përmes një ecjeje feministe nëpër qytet, të organizuar nga Kaltrina Kelmendi, Profesoreshë e Asociuar në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Nicole Farnsworth, Zëvendësdrejtoreshë dhe Hulumtuese Kryesore në RrGK. Historia e Prishtinës u tregua përmes perspektivës së grave, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ish-Qendrën e Informimit të SHBA-së si vend i protestave paqësore të grave kundër shtypjes, statujën e Hyjneshës në Fron, Monumentin “Newborn”, Memorialin “Heroinat” dhe Hotelin “Grand”. “Reporting House” dhe Muzeu “Çast” i Fondacionit Jahjaga mirëpritën Partneritetin, duke shfaqur filma, artefakte dhe vepra arti bashkëkohore që reflektojnë mbi luftën dhe nderojnë viktimat e saj, duke përfshirë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Nicole Farnsworth tregon historinë e Memorialit “Heroinat”, duke theksuar se si aktivistet kosovare luftuan që të gjitha gratë të kujtohen – si viktima dhe si heroina.

Të enjten, më 16 prill, punëtoria u hap zyrtarisht nga Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, dhe Kaltrina Kelmendi në emër të Universitetin të Prishtinës. Rogova kujtoi deklaratën e saj të përsëritur drejtuar akterëve ndërkombëtarë që hynin në Kosovë, duke theksuar se ata nuk mund të supozonin se ishin personat e parë dhe të vetmit të dijshëm që hynin në Kosovë; ata duhet të dëgjojnë dhe të mësojnë nga zërat lokalë.

“Ne ishim këtu. Ne jemi këtu. Ne do të jemi këtu”, tha ajo. Ajo ndau me partnerët botimin e RrGK-së “1325: Fakte dhe Fabula”, ku mund të lexohet më shumë rreth përpjekjeve të grave kosovare për t’u dhënë zë prioriteteve të tyre para akterëve ndërkombëtarë.

Gjithashtu, Rogova theksoi se “Është nder i madh të punosh me Universitetin e Prishtinës dhe është veprim i mençur të bësh bashkë punën e aktivisteve dhe akademikëve”.

Diskutimet adresuan barazinë, diversitetin, përfshirjen dhe qasjen (EDIA) në hulumtim, përfshirë pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe konceptualizimin e aftësisë së kufizuar. Gjatë sesionit “World Cafe”, pjesëmarësit dhanë komente mbi draft-instrumentet hulumtuese për anketa, intervista dhe fokus-grupe, si dhe mbi konsideratat etike.

Pasdite, një ngjarje e hapur u mundësoi akademikëve, studentëve dhe aktivistëve të diskutonin mbi hulumtimin etik. Profesori Edward Alessi mbajti një ligjëratë mbi qasjet e bazuara në njohjen e traumës gjatë hulumtimit, ndërsa Kaltrina Kelmendi moderoi një panel ku morën pjesë Jim Lavery, Profesor i Etikës së Shëndetit Global në Universitetin Emory; Dr. Aliriza Arenliu, Profesor i Psikologjisë në UP; Arbër Nuhiu, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore dhe Sara Nicole Baxley, ligjëruese e Etikës në RIT Kosov dhe bashkëpunëtore afat-gjatë e RrGK-së. Ata diskutuan për rëndësinë e forcimit të rishikimit etik në Kosovë, si shembull relevant për vendet e tjera të prekura nga konflikti.

Moderatorja Kaltrina Kelmendi dhe panelistët Aliriza Arenliu, Arbër Nuhiu dhe Sara Nicole Baxley.

E enjtja përfundoi në Kino Armata, me shfaqjen e filmit “Zana”, që rrëfen historinë e një gruaje kosovare që përpiqet të gjejë ekuilibrin mes pritshmërive të mëmësisë dhe trashëgimisë së brutalitetit të luftës. Pjesëmarrësit gjithashtu patën rastin të bashkëbisedojnë me regjisoren Antoneta Kastrati.

E premtja vazhdoi me një sesion mbi nevojat për edukim dhe trajnim për partnerët e RESPONDER, si institucionet akademike edhe organizatat e shoqërisë civile. Në dritën e rënies së mbështetjes financiare për shoqërinë civile, duke përfshirë grupet e grave që punojnë në hulumtim dhe avokim, si dhe ato që ofrojnë shërbime për gratë viktima të dhunës, Nicole Farnsworth nga RrGK mbajti një sesion për Planin e ri të Veprimit të BE-së për Barazi Gjinore dhe financimin e BE-së për shoqërinë civile. Ajo propozoi që Partneriteti RESPONDER të bëjë thirrje të përbashkët për rritjen e financimit për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, dhe i inkurajoi pjesëmarrësit të nënshkruajnë dhe shpërndajnë Deklaratën e Nikozisë si dhe të japin kontribute për Planin e Veprimit të BE-së për Barazi Gjinore IV.

Nicole Farnsworth mban sesionin për Planin e Veprimit të BE-së për Barazi Gjinore, Buxhetin e BE-së dhe financimin për shoqërinë civile.

Më pas, partnerët diskutuan mënyrat për t’u ballafaquar me sfidat e kërkimit, si dhe rezultatet nga Anketa e RESPONDER për Mobilizimin e Njohurive, e cila shërben për të kuptuar se si kërkimi mund të shpërndahet më së miri përtej akademisë. Mënyrat e propozuara përfshinin podkastet, filmat dokumentarë, ekspozitat e artit publik dhe tribunalet.

Dr. Sabine Lee, bashkë-drejtore e Partneritetit RESPONDER, përmbylli ditën e fundit duke shprehur mirënjohjen e Partneritetit për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe për mikpritësit, RrGK-në dhe Universitetin e Prishtinës. “Faleminderit Kosovës që ishte kaq e vullnetshme dhe mikpritëse”, tha ajo.

Të premten mbrëma, vizita u përmbyll me darkë dhe vallëzim në “Hani i 2 Robertëve”, një vend me simbolikë të veçantë pasi që kishte shërbyer si pikëtakimi për jetën paralele kulturore dhe politike të Kosovës gjatë regjimit dhe okupimit serb.

RrGK është krenare që është pjesë e Partneritetit RESPONDER dhe që po kontribuon në këtë nismë me ekspertizën e saj feministe dhe të përqendruar te të mbijetuarit, për të pasur misione humanitare dhe paqeruajtëse pa abuzim, që i respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e të gjitha komuniteteve të prekura nga kriza.

Partneriteti RESPONDER financohet nga Këshilli Kërkimor i Shkencave Sociale dhe i Shkencave Humane (Social Sciences and Humanities Research Council (SSHRC)) i Kanadasë, me një kontribut të konsiderueshëm në natyrë të partnerëve lokalë, duke përfshirë këtu edhe RrGK-në.