Aktivizmi i Besnik Lekës përgjatë 2020: Sfidues, por i mundur

Viti 2020 ishte sfidues, jo vetëm në kuptimin e rrezikimit të shëndetit publik nga pandemia COVID-19, mirëpo edhe më gjerë- në atë se si kjo pandemi veçse theksoi dhe thelloi pabarazitë ekzistuese shoqërore.  

Me vështirësi u përballën edhe aktivistët për të drejtat e grave në shoqërinë kosovare.  

Aktivisti shumë vjeçar Besnik Leka, i cili ishte edhe anëtar i Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), në periudhën 2017-2020 flet për aktivitetet e ndërmarra gjatë vitit që lamë pas, duke thënë fillimisht se viti 2020 nxori edhe më shumë në pah shoqëritë patriarkale, përfshirë këtu edhe Kosovën.  

“Viti paraprak për shumë organizata dhe individë nga shoqëria civile, duke përfshirë edhe veten, ishte mjaft sfidues. Kjo sepse na kufizoi fushën e veprimit dhe kontributit për t’i sfiduar normat shoqërore, të cilat po na e ngadalësojnë zhvillimin shoqëror.”  

Megjithatë, Leka vlerëson se kontributi nuk ishte krejtësisht i pamundur. 

“Thjesht ishim të detyruar të përshtatemi me situatën dhe të gjejmë qasjen më të mirë të mundshme”, thotë ai.  

Si aktivist për të drejtat e njeriut, këto ishin aktivitetet përmes së cilave Leka dha kontribut:  

Mars 2020  

Leka ishte pjesë e një tryeze të rrumbullakët virtuale me të rinj nga Kosova, Lebani, Austria, dhe Gjermania për të diskutuar lidhur me video-projektin “Can I Kiss You”, i cili flet më shumë lidhur me rëndësinë e dhënies së pëlqimit (ANG: consent) gjatë marrëdhënieve. Kjo u bë me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit te adoleshentët mbi temën e pëlqimit, dallimit midis gjinisë dhe seksit, si dhe fuqisë në marrëdhënie. 

Klikoni KËTU për videon e kësaj ngjarjeje.  

Maj 2020  

Kurse, gjatë majit në një diskutim në kuadër të fushatës “Punët e shpisë nuk kanë gjini!”, Leka diskutoi si mund të thyhet cikli i maskulinitetit jo të shëndetshëm, krizat e këtij maskuliniteti, cilat janë disavantazhet për djemtë dhe burrat mbi këtë mendësi dhe cilat janë përfitimet e tyre me ndryshimin e këtyre sjelljeve. 

Qershor 2020 

Leka u bashkua me fushatën #TëAfërtnëDistancë për të bërë thirrje për barazi në shtëpi-  jo dhunë. Ai ka vërë theksin te ajo që shumë djem e burra sot jetojnë në një gjendje konflikti të brendshëm, pasiqë ata në njërën anë po sfidohen prej pritshmërive patriarkale, të cilat kërkojnë djemtë të jenë të dhunshëm, stoik dhe agresiv, kurse në anën tjetër ekziston vullneti tyre për të qenë të dashur, të barabartë dhe në paqe.  

“Të jemi të barabartë në shtëpitë tona”, ishte mesazhi i tij.  

Gusht 2020 

Me nismën “Burrat në Kuzhinë”, Leka synoi përfshirjen e burrave në kuzhinë për t’i thyer stereotipet gjinore rreth profesioneve. Pjesë e kësaj nisme ishin gjashtë burra, me ç’rast u gatuan receta të ndryshme, kurse shuma e fituar u nda për familjet në nevojë.  

Tetor 2020 

Përmes programit “Gazetaria Transforumese”, Leka ishte në nga folësit e ftuar për të diskutuar rreth teknikave të gazetarisë së shkruar dhe perspektivës gjinore në gazetari.  

Programi u përmbyll me një konferencë tre ditore gjatë së cilës pjesëmarrësit kanë diskutuar me pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave, të cilët kanë përvojë dhe ekspertizë në punën për të drejtat e njeriut.  

Nëntor dhe Dhjetor 2020  

Në nëntor Leka moderoi konferencën virtuale “Future4Youth”, e cila solli zëra të ndryshëm të shoqërisë civile, grupe joformale të qytetarëve, prindër, mësues dhe aktorë të tjerë të interesuar rreth të njëjtit qëllim – për të adresuar dhe avokuar për parandalimin e dhunës, barazinë gjinore, aftësitë e jetës dhe edukimin shëndetësor në shkollat në të gjithë Ballkanin.  

Kurse, përgjatë dhjetorit, Leka në një diskutim me organizatën për rini YMCA, foli për rëndësinë e “Edukimit mbi Aftësitë për Jetë”, si funksionon shoqëria dhe si ta bëjmë atë më të mirë. 

*Me këtë artikull RrGK fillon një seri të publikimeve për punën dhe kontributin e aktivistëve për të drejtat e njeriut në Kosovë.