Nga data 1 deri më 5 maj 2017, tri përfaqësuese nga Kosova morrën pjesë në programin e shkëmbimit të njohurive mbi Dhunën në Baza Gjinore, që u mbajt në Stokholm të Suedisë, e organizuar nga Fondacioni Kvinna till Kvinna (KtK). Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Shpresa Agushi nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës, si dhe Zana Hoxha Krasniqi nga Artpolis, përfaqësuan Kosovën në këtë ngjarje, ku edhe patën rastin ta ndajnë përvojën e tyre me pjesëmarrëset tjera.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte që përfitueset e KtK nga Ballkani dhe nga Lindja e Mesme të ndjanë përvojat e tyre dhe praktikat më të mira në luftimin e Dhunës në Baza Gjinore. Programi ishte i ndarë në tri shtylla kryesore, e që ishin: Ofrimi i ndihmës Psiko-Sociale për të Mbijetuarat e Dhunës në Baza Gjinore; Bashkëpunimi me një Qasje Gjithëpërfshirëse në Ofrimin e Ndihmës ndaj të Mbijetuarave të Dhunës në Baza Gjinore; si dhe Avokimi si Formë e Parandalimit.
Përveq ndarjes së përvojës në mes të pjesëmarrëseve, u mbajtën edhe ligjërata nga profesorë, psikologë, aktivistë, e njohës të dhunës në baza gjinore nga Suedia si dhe nga vende të tjera të botës. Në mesin e tyre, Dr. Allan Wade foli për rezistencën që të mbijetuarat e dhunës e përdorin si mekanizëm për të përballuar dhunën; Vidar Vetterfalk foli mbi normat maskuline dhe dhunën si një perspektivë e nevojshme për të luftuar dhunën në baza gjinore; si dhe psikologja Josefin Grände ligjëroi rreth Traumës Sekondare që mund ta kenë personat që punojnë në ofrim të trajtimit psiko-social me të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore.
Adelina Berisha nga RrGGK e ftuar nga KtK, prezantoi iniciativat avokuese të RrGGK-së në fushën e dhunës me baza gjinore, ndërsa Zana Hoxha Krasniqi nga Artpolis e mbajti një punëtori se si të përdoret Teatri i Forumit si formë e ngritjes së vetëdijes rreth dhunës në baza gjinore.
Përveq shkëmbimit të përvojave dhe njohurive lidhur me dhunën në baza gjinore, pjesë e rëndësishme e këtij programi ishte edhe rrjetëzimi në mes të organizatave jo-qeveritare nga rajoni si dhe nga Lindja e Mesme.