Me 5-9 nëntor, disa përfaqësuese dhe anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me organizata të tjera për të drejtat e grave nga rajoni, qëndruan në Bruksel ku takuan anëtarë të Parlamentit Evropian, të Komisionit Evropian dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) për të avokuar për përmirësimin e perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. Pikat kryesore të avokimit kanë përfshirë nevojën për: të i kushtuar më shumë vëmendje dhunës me bazë gjinore në kapitujt acquis lidhur me gjyqësorin dhe të drejtat themelore (23) dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë (24); të konsultuar organizatat për të drejtat e grave si pjesë e proceseve të anëtarësimit në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 dhe Planin Gjinor të Veprimit II të BE-së; dhe nevojën për të përkrahur më mirë grupet dhe lëvizjet e të drejtave të grave për punën e tyre në mbështetje të informimit të reformave të anëtarësimit në BE me ekspertizën e tyre duke avokuar për reforma, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke i mbajtur qeveritë e tyre të përgjegjshme.
Më konkretisht, RrGK dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) u takuan me Zyrtaren për Kosovën, Julia Mueller-Hellmann, për të siguruar të dhëna për Raportin e Kosovës (i njohur më parë si Raporti i Progresit), lidhur me çështjet kritike të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Ato takuan edhe Igor Soltes, anëtar i Parlamentit Europian dhe njëherit Raportues Parlamentar për Kosovën, për të diskutuar më mirë pasqyrimin e një perspektive gjinore në dialogun politik midis BE-së dhe Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave.
Gjatë një dreke me anëtarë të Parlamentit Evropian, përfshirë edhe nga Komisionet e Punëve të Jashtme dhe Komisionit për të Drejtat e Grave dhe Barazi Gjinore (FEMM), Drejtorja e Programit të RrGK-së, Nicole Farnsworth prezantoi nevojat e grupeve të të drejtave të grave në rajon. Kjo dhe çështjet e paraqitura nga aktiviste të tjera të të drejtave të grave në lidhje me pjesëmarrjen e grave në politik dhe dhunën kundër grave do të informojnë një projekt-rezolutë parlamentare që është duke u përgatitur nga eurodeputetja Biljana Borzan në Komisionin FEMM lidhur me barazinë gjinore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Takime të tjera u zhvilluan me Komisionin Evropian dhe me EEAS, gjatë të cilave u diskutuan strategji shtesë për avancimin e përfshirjes së grave në procesin e anëtarësimit në BE.
Ky takim është pjesë e një udhëtimi avokues vjetor të organizuar nga Fondacioni Kvinna till Kvinna.