Lexim nga Perspektiva Gjinore Raportit të Progresit të Kosovës për vitin 2019

Për disa vite, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka përdorur procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) si një mjet për të avokuar për një fokus më të madh në barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Si pjesë e kësaj, RrGK dha komente me shkrim nga perspektiva gjinore mbi Raportin e Progresit të Kosovës për vitin 2019. Ky dokument është një instrument që BE përdor për të vlerësuar progresin që një vend kandidat për anëtarësim në BE ka bërë në lidhje me përmbushjen e agjendës evropiane brenda një viti kalendarik. Çështjet kryesore të cilat RrGK-ja ngriti këtë vit u morën kryesisht nga Analiza Gjinore e Kosovës e RrGK-së dhe janë si vijon:

Në seksionin e Demokracisë

  • Gratë, sidomos gratë e pakicave etnike, mbeten të nënpërfaqësuara si zyrtare të zgjedhura në kuvendet komunale (35%) dhe në parlament (32%) dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes;
  • Organizatat e Shoqërisë Civile të Grave kanë tendencë të kenë mungesë të burimeve; burimet e pamjaftueshme njerëzore e bëjnë të vështirë për to angazhimin në proceset e demokracisë dhe qeverisjes.

Në seksionin e Sundimit të Ligjit dhe të të Drejtave Themelore

  • Për dhunën me bazë gjinore, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar koordinimin e dobët ndërmjet policisë, prokurorëve dhe aktorëve të tjerë dhe për të adresuar monitorimin joadekuat nga policia dhe gjykatat të urdhrave të mbrojtjes në rastet e dhunës në familje. Është gjithashtu e domosdoshme të sigurohet që strehimoret për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit të qenieve njerëzore të financohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të merren masa për riintegrimin efektiv të viktimave;
  • Duhet të zhvillohen dhe të institucionalizohen kurse të detyrueshme për trajnime dhe freskim të prokurorëve dhe gjyqtarëve për krimet me bazë gjinore, duke përfshirë marrëdhëniet e pushtetit, dhunën nga burrat, dhunën seksuale, ngacmimin seksual dhe fajësimin e viktimave, veçanërisht pas çdo ndryshimi në Kodin Penal në lidhje me dhunën me bazë gjinore;
  • Policia, prokuroria dhe gjyqësia duhet të funksionalizojnë sisteme të sigurta, ndërinstitucionale të menaxhimit të të dhënave dhe sistemeve të menaxhimit të rasteve, duke përfshirë të dhënat e ndara sipas gjinisë;
  • Pavarësisht nga përmirësimet, gratë ende kanë më pak pronësi (17% të pronave) sesa burrat;
  • Personat LGBTI ende përballen me diskriminim në qasjen në shërbimet publike.

Në seksionin e politikës sociale dhe punësimit

  • Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore mbetet veçanërisht shqetësuese.

Në seksionin e Arsimit dhe Kulturës

  • Mungesa e barazisë gjinore midis mësuesve në të gjitha nivelet dhe stereotipet gjinore të mbetura në kurrikula kontribuon në përforcimin e vazhdueshëm në vend se në heqjen e normave tradicionale gjinore dhe pabarazive;
  • Ndarja gjinore ekziston në rrugët akademike, me burra të nënpërfaqësuar në mënyrë të konsiderueshme në arsim dhe gratë e nënpërfaqësuara në fushën e shkencave kompjuterike, bujqësisë, biznesit dhe gjeoshkencave;
  • Shumë pak gra ndjekin kurse të arsimit të të rriturve.

Në seksionin e Bujqësisë

  • Gratë që punojnë në sektorin e bujqësisë përballen me sfida duke përfshirë mungesën e arsimit, qasjen në financim, pronësinë e pronës dhe burrat që përdorin emrat e tyre për të siguruar subvencione, edhe pse në praktikë gratë nuk kanë rol vendimmarrës në biznese.

Në seksionin e Statistikave

  • Edhe pse e obliguar me ligj, shumë pak të dhëna të ndara sipas gjinive po grumbullohen dhe mirëmbahen në Kosovë.