Gjatë shfaqjes së premieres “Take care of the one you love”.

Artpolis ngritë vetëdijen tek të rinjët përmes Forum-Teatrit

Qindra qytetarë kishin mbushur hapësirën e teatrit Dodona sot për të ndjekur premierën e shfaqjes “Take care of the one you love”  (Kujdesuni për atë që doni) nën regjinë e Dardana Mehmetit, ndërsa aktorët ishin: Aulona Prokshi, Edon Shileku, Gresa Xhema, Veton Gjinaj, Nitë Makolli dhe Skënder Podvorica.
     Në shfaqje u trajtua tema e martesave në moshë të hershme dhe abuzimet në baza gjinore, ku një adoleshente 17 vjeçare kishte rënë viktimë e një martese të hershme dhe një shtatzënie të pa dëshiruar. Si pasojë, ajo duhej të duronte dhunën fizike të shkaktuar nga bashkëshorti i saj, i po të njejtës moshë.        
    Tentimet e shoqërisë për ta ndihmuar, frika e saj që familja nuk do ta përkrahë nëse vendos të ndahet e shumë momente të tjera që gratë dhe vajzat përjetojnë në një lidhje ku ka abuzim, u shfaqën në mënyrë aq profesioanle nga të aktorët në skenë të cilët arritën të përçojnë emocione shumë të forta.
 Kjo shfaqje i përkiste zhanrit të forum-teatrit, dhe qëllimi i saj ishte që të ngritet vetëdija tek të rinjët për martesat e hershme, abuzimet si dhe vetëdijësimi për shtatzanitë e padëshiruara.  
     “Është e rëndësishme që të rinjët të shohin realitetin, dhe pasojat për veprimet e tyre,” u shpreh regjisorja e kësaj shfaqje, Dardana Mehmeti. “Ne përdorim teatrin si formë për vetëdijesim duke trajtuar temat për çështjet që prekin rininë tonë.  Kjo formë është shumë më atraktive se ligjeratat që shumë shpesh nxënësit i shohin si të mërzitshme, ndërsa përmes shfaqjes ata arrijnë të dëgjojnë rrëfime të cilat mbesin në kujtesën e tyre.”
    Në fund të shfaqjes të gjithë shikuesit patën rast të parashtrojnë pytje për personazhet. Artpolis do të bëjë përpjekje që kjo shfaqje të rishfaqet sa më shumë që të rinjë ta shohin dhe të vetëdijësohen për këto dukuri negative. Kjo iniciativë u mbështet nga Ambasada Amerikane në Kosovë.