RrGK dorëzon rekomandime për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor për Buxhetin Komunal 2027 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka dorëzuar rekomandime për të gjitha komunat në Kosovë, duke kërkuar zbatimin e plotë të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGJ) në Buxhetin Vjetor 2027 dhe në Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB). Të mbështetura në Ligjin për Barazi Gjinore dhe në Qarkoren Buxhetore të Ministrisë së Financave, rekomandimet theksojnë se komunat kanë obligim ligjor të integrojnë perspektivën gjinore në planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e buxhetit. RrGK thekson se BPGj nuk nënkupton rritje të shpenzimeve publike, por shpërndarje më efektive dhe më të drejtë të burimeve ekzistuese për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme të grave, burrave, vajzave dhe djemve.

RrGK gjithashtu i inkurajon komunat të forcojnë transparencën dhe llogaridhënien publike duke publikuar Aneksin e BPGJ-së së bashku me propozim-buxhetet e tyre dhe duke siguruar konsultim kuptimplotë me publikun gjatë gjithë procesit të hartimit të buxhetit. Përfshirja e qytetarëve përfshirë gratë, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme në diskutimet buxhetore mund t’i ndihmojë komunat të identifikojnë më mirë prioritetet, të përmirësojnë shërbimet publike dhe të sigurojnë që vendimet buxhetore të pasqyrojnë nevojat e të gjithë banorëve. Kjo qasje pjesëmarrëse kontribuon në një qeverisje më gjithëpërfshirëse dhe është në përputhje me obligimet ligjore kombëtare dhe angazhimet ndërkombëtare.

Rekomandimet përfshijnë masa praktike në disa sektorë komunalë, përfshirë mirëqenien sociale, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, shërbimet publike, planifikimin urban dhe sportin. Ndër veprimet e propozuara janë ndarja e fondeve të dedikuara për shërbimet që adresojnë dhunën me bazë gjinore, zgjerimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe mbështetjes psikologjike në shkolla, përmirësimi i shërbimeve të shëndetit riprodhues, krijimi i infrastrukturës publike më të qasshme, përmirësimi i transportit drejt zonave rurale dhe sigurimi i mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat në sport. RrGK ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për t’i mbështetur komunat përmes shqyrtimit të drafteve të KAB-së dhe Aneksit të BPGJ-së, si dhe duke ofruar ekspertizë teknike gjatë gjithë procesit të hartimit të buxhetit.

Lexoni rekomandimet tona këtu.