Nga rreziku i humbjes së pasurisë te mbrojtja gjyqësore: Një ndërhyrje ligjore e suksesshme në kohë

Të mbijetuarat e dhunës në familje përballen me një sërë sfidash gjatë procesit të shkurorëzimit dhe ndarjes së pasurisë së përbashkët. Gjatë këtij procesi, ato shpesh rrezikojnë të humbin pasurinë e përbashkët për shkak të veprimeve të partnerit, përfshirë tjetërsimin, shitjen apo fshehjen e saj.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përmes këshillimit dhe përfaqësimit ligjor, ka përfaqësuar një grua në një proces shkurorëzimi i cili lidhej edhe me elemente të dhunës në familje, si dhe me rrezik të drejtpërdrejtë për humbjen e pasurisë së përbashkët.

Gjatë këtij procesi, pala e përfaqësuar u përball me një situatë urgjente dhe të ndjeshme, ku ekzistonte rreziku real që pasuria e krijuar gjatë martesës, përfshirë prona të paluajtshme dhe një banesë, të shitej, të tjetërsohej ose të fshihej para përfundimit të procedurës së shkurorëzimit. Një veprim i tillë do ta pamundësonte në praktikë realizimin e të drejtave të saj ligjore dhe do të shkaktonte dëm të pariparueshëm.

Duke marrë parasysh këtë rrezik, RrGK reagoi menjëherë përmes këshillimit dhe përgatitjes së kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me qëllim të parandalimit të çdo veprimi mbi pasurinë e përbashkët deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Gjykata Kompetente e aprovoi kërkesën dhe caktoi masën e përkohshme të sigurimit, duke ndaluar shitjen, bartjen, ngarkimin apo çdo ndryshim të gjendjes së pasurisë. Me këtë vendim u sigurua mbrojtja e menjëhershme e pasurisë dhe u parandalua çdo tentim për tjetërsim gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.

Pala e përfaqësuar e mirëpriti këtë vendim si një lehtësim të rëndësishëm në një periudhë të vështirë, pasi u garantua që pasuria e krijuar gjatë martesës nuk do të humbte apo manipulohej deri në përfundimin e çështjes.

Ky rast tregon qartë rëndësinë e reagimit të shpejtë ligjor në situata ku gratë përballen me rrezik real të cenimit të të drejtave të tyre pasurore, si dhe rolin thelbësor të masave të përkohshme të sigurimit si instrument mbrojtës në rastet e shkurorëzimit dhe dhunës në familje.

Melisa Kadolli, monitoruese në Rrjetin e Grave të Kosovës, u shpreh se gratë përballen me sfida të shumta gjatë proceseve të shkurorëzimit, ndërsa ky rast paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre, veçanërisht në aspektin pasuror, përmes përdorimit në kohë të mekanizmave juridikë si masat e përkohshme të sigurimit.