Sot, me 3 tetor, Zyra e BE-së në Kosovë / Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, lansuan Analizën Gjinore të Kosovës në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) në Biblotekën Kombëtare të Kosovës,nga ora 14:15.
Hulumtuar dhe shkruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës me kërkesën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Analiza Gjinore e Kosovës ofron informata aktuale mbi gjendjen e burrave dhe grave në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga bujqësia, ekonomia, energjia, mjedisi, drejtësia, ndër të tjera.
Ambasadorja Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë si dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, gjatë fjalës hyrëse për rëndësinë e Analizës Gjinore në Kosovë dhe përpjekjet e BE-së drejt avancimit të barazisë gjinore në Kosovë, u shpreh e kënaqur për lansimin zyrtarë të këtij raporti, duke përgëzuar RrGK-në për përvojën e madhe mbi analizën gjinore si partnere e kualifikuar për zbatim të kësaj nisme.
„Barazia gjinore është shumë e rëndësishme për të pasur siguri, për të krijuar stabilitet politik dhe për të arritur zhvillim ekonomik. Provat e mjaftueshme tregojnë që vendet në të cilat gratë dhe burrat janë më të barabartë edhe në përfshirjen në vendimmarrje, janë ato vendet më të zhvilluara, më të sigurta dhe më stabile. Ðshtë e vërtetuar që kur më shumë gra përfshihen në jetën politike, aty ka më pak korrupcion,“ shtoi Ambasadorja Apostolova.
Ndërkaq, Dhurata Hoxha, Ministre, Ministria e Integrimeve Evropiane u shpreh se „Dua ta përgëzoj Rrjetin e Grave të Kosovës për hartimin e kësaj analize të rëndësishme. Kjo do të na ndihmojë edhe neve, sidomos ato gra të pakta në Qeveri, që ta mbështesim njëra-tjetrën por edhe ta promovojmë më shumë pjesëmarrjen më të madhe në politikë. Vetëm kështu mund ta bëjmë ndryshimin pozitiv në shoqërinë tonë“.
Më pas, Mehdi Geci, Zëvendës Avokati i Popullit, foli për përpjekjet e Institucionit të Avokatit të Popullit në luftimin e diskriminimit gjinor përmes hetimit të ankesave dhe zbatimit të ligjit.
„Ankesat e rasteve të shumta që ka pranuar institucioni jonë lidhur me shkeljen e të drejtave të grave në punë, e edhe me shkeljen e të drejtave të grave në pronë të përbashkët, tani po vazhdojnë të trajtohen nga gjykatat kompetente,“ u shpreh z. Geci.
Tutje, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit / Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK dhe njëkohësisht bashkëautore e këtij raporti, prezantoi gjetjet kyçe në vazhdim:
Qeverisja dhe demokracia: Gratë, duke përfshirë gratë nga pakicat kombëtare, mbeten të nënpërfaqësuara në qeverisje në krahasim me burrat;
Sundimi i ligjit dhe liritë themelore: Gratë në masë të madhe ende zotërojnë shumë më pak pasuri (17% të pronave) se sa burrat; Në krahasim me gratë, gjasat janë shumë më të mëdha që burrat të kryejnë krime dhe të dënohen (në 2015 prej personave të dënuar, 95% ishin burra); Dhuna në bazë gjinore, veçanërisht dhuna në familje, mbetet e përhapur gjerësisht. Në faktorët kontribues përfshihen normat e socializuara gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit që mbështesin dhunën mashkullore; dhe traumat e patrajtuara. Përgjigjja institucionale mbetet e dobët.
Arsimi: Vijueshmëria në arsimin parashkollor është e ulët dhe nën përmbushjen e caqeve të caktuara me Objektivat e Barcelonës të BE-së për shkak të pamjaftueshmërisë së institucioneve parashkollore me çmim të përballueshëm; Gratë gjithashtu janë të nënpërfaqësuara edhe në radhët e profesorëve universitarë; Fëmijët me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje në arsim, ku vajzat me aftësi të kufizuara përballen me më shumë sfida sesa djemtë;
Punësimi: Zyrtarisht, vetëm 13% e grave të moshës së punës janë të punësuara, krahasuar me 47% të burrave; Një faktor kyç që kontribuon në pjesëmarrjen e ulët të grave në fuqinë punëtore është përgjegjësia e ofrimit të kujdesit, kryesisht kujdesi për fëmijët; 32% e grave thonë se kjo pengon punësimin e tyre;
Konkurrueshmëria dhe novacioni: Në vitin 2017, gratë zotëronin 13% të të gjitha ndërmarrjeve dhe 18% të bizneseve të reja të regjistruara në 2014-2016;
Gratë mbeten të nënpërfaqësuara në sektorin e Bujqësisë, Energjisë, Mjedisit dhe Transportit.
Shëndetësi: Më shumë gra sesa burra punojnë në institucionet shëndetësore. Mungojnë të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë për profesionet. Kufizimet shoqërorokulturore dhe qasja në financa minojnë qasjen e grave në veçanti në kujdesin shëndetësor.
Kjo Analizë ofron rekomandime konkrete për mbështetjen e ardhshme të BE-së për Qeverinë e Kosovës, veçanërisht lidhur me programet e Instrumentit për Para-Anëtarësim (IPA) dhe dialogjet e ardhshme politike.
Në këtë ngjarje morrën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Ambasadave, Organizatave të Shoqërisë Civile dhe studentë.