Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor-SDK organizon takimin e parë publik vetëm me gratë

Organizata përfituese e raundit të 17 të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), Sundimi i Demokracisë në Kosovë (SDK), ka organizuar më 23 gusht diskutim publik për buxhet të përgjegjshëm gjinor mes zyrtarëve komunalë, grave asambleiste dhe vajzave e grave nga komunës e Podujevës. Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, potencoi se ky ishte debati i parë publik që u mbajt vetëm me gra.

“Si komunë jemi munduar të fokusohemi te gratë, dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Mirëpo, neve na duhet mbështetja, kritikat dhe sugjerimet tuaja,” tha ajo. Këto dëgjime bëjnë të mundur që planifikimi buxhetor t’ju përgjigjet edhe problemeve të grave. 

Fatlum Osmani, Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në komunën e Podujevës, pasi tregoi një rezyme të përgjithshme për të dhënat buxhetore, tha që dëshiron t’i dëgjojë kërkesat dhe problemet e qytetarëve në mënyrë që komuna e Podujevës të ketë një buxhet më gjithëpërfshirës.

Gratë ngritën problemin e funksionalizimit të trafikut urban dhe ndërlidhjen e fshatrave me qytetin e Podujevës, ndërtimin e çerdheve sidomos në zonat rurale, ofrimin e shërbimeve gjinekologjike dhe onkologjike, ndriçimin publik si dhe problemin me qentë endacakë.

Disa nga qytetaret kërkonin përkrahje dhe subvencionim për bizneset, e në mesin e tyre u theksua edhe kërkesa për subvencionime në bujqësi. Osmani tha se për vitin 2023 ka pothuajse  një dyfishim të fondeve për subvencionet në bujqësi.

“Nga 430 mijë euro, në vitin 2023 i kemi 700 mijë euro… dhe kjo normalisht nënkupton që për shumë gra e shumë nga familjet që deri tani nuk e kanë marrë asnjë subvencion të nevojshëm, tani mundësitë do të jenë pakrahasismisht më të mëdha,” tha ai.

Në anën tjetër, nënkryetarja Lahu i njoftoi të pranishmet se Komuna e Podujevës në bashkëpunim edhe me nivelin qendror për vitin 2023 i ka të ndara 165 mijë euro për një qendër për qëndrim ditor për persona të moshuar.

“Ka shumë prej grave që nganjëherë nuk munden të punojmë për shkak se duhet të kujdesen për personat më të moshuar në shtëpi, kështu që prej vitit të ardhshëm krijohet njëfarë lehtësimi për shkak se këta persona do të mund t’i dërgojnë në qëndrim ditor dhe t’i kryejnë aktivitet e tyre të ndryshme”, u shpreh Lahu.

E kënaqur me këtë organizim dhe me faktin që asaj iu dha mundësia t’i paraqesë kërkesat e saj para komunës u shpreh Xhemile Hykolli nga fshati Shajkovc i Podujevës.

“Ky organizim mu duk shumë i mirë dhe jam shumë e kënaqur, nuk do të thotë që sot e bëra kërkesën dhe sot do të realizohet, por kryesorja është që kërkesat tona të paraqiten dhe më pas realizimi shkon hap pas hapi,”  tha Hykolli e cila kërkoi hapjen e një çerdhe në fshatin Shajkovc.

Ky takim u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i mekanizmave për buxhetim të përgjegjshëm gjinor” i cili u zbatua nga SDK dhe u mbështet nga FGK i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).

Aktiviteti u organizua në kuadër të nismës së RrGK-së, së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.