Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka Strategjinë për vitet 2015-2018, e cila është hartuar dhe miratuar nga organizatat anëtare të Rrjetit. Deri në fund të vitit 2016, RrGGK-ja ka zbatuar përafërsisht 60% të strategjisë së saj. Gjatë vitit 2017, RrGGK do të zhvillojë më tej arritjet, duke avancuar drejt zbatimit të strategjisë. Në përputhje me objektivat strategjike, RrGGK gjatë këtij viti do të përqendrohet në këto fusha:
Ngritja e kapaciteteve të RrGGK-së
• RrGGK-ja është e fuqishme aq sa janë edhe anëtaret e saj. Prandaj, punohet shumë në mbështetjen e organizatave anëtare që ato të bëhen edhe më të fuqishme. Në vitin 2017, RrGGK do të vazhdojë të ofrojë punëtori, ndër të tjera, lidhur me avokimin, marrëdhëniet me publikun, politikat, të folurit para publikut dhe buxhetimin vjetor, të orientuara drejt kërkesës, duke vijuar me mentorim individual të përshtatur sipas nevojave të organizatave si dhe me mbështetje financiare përmes Fondit të Grave të Kosovës. Këtë vit, RrGGK-ja planifikon të ndajë 102,000.00€ për 28 organizata përmes të 2 raundeve të granteve nëpërmjet Fondit të Grave të Kosovës, me mbështetjen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).
• Gjithashtu, Rrjeti është i përkushtuar ndaj mbështetjes së zhvillimit të një lëvizje dinamike feministe në Kosovë. RrGGK planifikon të organizojë diskutime lidhur me organizimin, teknikat, sfidat dhe të ardhmen e lëvizjes feministe, duke i ftuar të gjitha organizatat dhe individët e interesuar që të bashkohen në krijimin e strategjisë për fuqizimin e përbashkët të lëvizjes feministe në Kosovë. Qëndroni me RrGGK-në për më shumë informata!
Gratë në politikë dhe vendimmarrje
• RrGGK-ja vazhdon të mbështesë Lobin Kosovar për Barazi Gjinore, i cili i bashkon gratë dhe burrat nga 27 komuna me qëllim për të avokuar për prioritetet e tyre drejt arritjes së barazisë gjinore në nivel komunal. ADA, BE-ja dhe Kvinna till Kvinna (KtK) i mbështesin takimet rrjetëzuese të Lobit.
• RrGGK-ja do të vazhdoj punën e vet drejt institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, këtë vit duke ofruar mbështetje teknike për dy ministri dhe një komunë, si dhe duke vazhduar të avokojë që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor të integrohet në sistemin e financimit publik në Kosovë, në përputhje me Ligjin për Barazinë Gjinore. Këtu përfshihet avokimi për përfaqësim më të mirë të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në pozitat e emëruara dhe zgjedhore në qeveri, në përputhje me Ligjin për Barazinë Gjinore, që do të kontribuoj në shpenzime më të balancuara gjinore në shpenzimet e shtetit. Kjo punë mbështetet nga ADA.
• Fondi i Grave të Kosovës po ashtu ofron mundësi që gratë të marrin pjesë në disa procese vendimmarrëse në nivelin komunal dhe qendror, përmes organizatave anëtare të RrGGK-së.
• Përmes një kontrate me Zyrën e BE-së, RrGGK-ja do të vazhdoj të ofrojë ekspertizë teknike për Zyrën e BE-së, Ministrinë e Integrimit Evropian, Agjencinë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit (ABGj) dhe ministritë tjera, me qëllim të integrimit të perspektivës gjinore në planifikimin dhe zbatimin e të gjitha programeve të Instrumentit për Ndihmë Para Anëtarësimit (IPA).
• Me mbështetjen e organizatës “Kvinna till Kvinna”, RrGGK do të vazhdoj të bashkëpunojë ngushtë me organizatat anëtare të saj dhe me Lobin Kosovar për Barazi Gjinore me qëllim që të sigurojë pjesëmarrjen aktive të grave në diskutimet lidhur me anëtarësimin e Kosovës në BE, siç parashihet me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Këtu do të përfshihet vazhdimi i rishikimit të projekt ligjeve, politikave dhe planeve nga aspekti i perspektivës gjinore, dhe dorëzimi në mënyrë zyrtare i kontributit nga rishikimi me qëllim të integrimit të perspektivës gjinore në kuadër të tyre.
• Në fillim të vitit 2017, RrGGK do të vazhdoj bashkëpunimin me Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP), ABGj-në dhe GIZ-in, për ofrimin e trajnimit të trajnuesve për trajnerët e ri të barazisë gjinore të angazhuar nga IKAP-i. RrGGK-ja do t’i trajnojë ata në tri kurrikula për barazinë gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, të hartuara nga RrGGK-ja në vitin 2016. RrGGK-ja gjithashtu është duke hartuar një doracak për këtë trajnim.
Shëndeti i grave
• Më 2 shkurt, RrGGK publikon raportin e saj “Qasja në kujdesin shëndetësor në Kosovë”. Në vitin 2017, RrGGK-ja do të bashkëpunoj ngushtë me Koalicionin e organizatave për shëndet dhe të drejta seksuale dhe riprodhuese – K10, me qëllim të zhvillimit të përpjekjeve avokuese lidhur me rekomandimet në këtë raport dhe për përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor cilësor në përgjithësi.
Adresimi i dhunës në baza gjinore
• Në pjesën e parë të vitit 2017, RrGGK-ja do të vazhdoj të avokoj për zbatimin e rekomandimeve të bëra në raportet e saj Mjaft më me arsyetime (për dhunën në familje, 2015) dhe Ngacmimi seksual në Kosovë (2016). RrGGK-ja, për këtë qëllim, do të përditësoj strategjinë e saj të avokimit në bashkëpunim të ngushtë me palët e tjera të interesit dhe do të avokoj së bashku me akterët tjerë kyç për ngritjen e vetëdijesimit dhe reagimit nga institucionet dhe njerëzit në Kosovë ndaj dhunës në familje dhe ndaj ngacmimit seksual.
• Tutje, RrGGK-ja do të kryej një hulumtim, duke përdorur metoda të përziera, të ngjashëm me atë të vitit 2015, ku do të përfshihet një anketë kombëtare dhe intervista me institucione me qëllim të monitorimit të progresit dhe zhvillimeve që nga hulumtimi i vitit 2015. Ky hulumtim do të mbështetet nga ADA.
• RrGGK-ja do të vazhdoj të marrë pjesë në grupin koordinues zyrtar për personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, i drejtuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe në finalizimin e procedurave që personat që kanë përjetuar dhunë seksuale të mund të aplikojnë për përfitime shtetërore. RrGGK-ja do të vazhdoj mbështetjen për organizatat anëtare të cilat janë të specializuara t’i ndihmojnë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
• RrGGK-ja do të jetë aktive në nismat rajonale, duke avokuar për drejtësi për krimet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftërave në ish Jugosllavi, duke përfshirë edhe proceset alternative të drejtësisë përmes Gjykatës së Grave.
Fuqizimi ekonomik i grave
• Si anëtare e Forumit Ekonomik të Grave, RrGGK-ja do të punoj me organizatat tjera udhëheqëse, shoqatat dhe organizatat “Think Tank” për të avokuar për ndryshimin e Ligjit të Punës. Ndryshimet e rekomanduara do të jenë të bazuara në dëshmi të nxjerra nga hulumtimi i RrGGK-së dhe hulumtimet tjera. Përmes ndryshimeve të propozuara, RrGGK-ja synon të përmirësoj pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, të zvogëloj diskriminimin në punësim dhe në kushtet e punës si dhe të adresoj çështjet që kanë të bëjnë me dispozitat aktuale të pushimit të lehonisë. Këtu përfshihet adresimi i diskriminimit aktual ndaj burrave lidhur me pushimin e atësisë, të cilin RrGGK-ja e interpreton si shkelje të Ligjit për Barazinë Gjinore.
• Në bashkëpunim me organizatat anëtare dhe avokatë, RrGGK-ja vazhdon t’i mbështesë gratë në kërkesat e tyre për të drejtën në pronë dhe trashëgimi përmes ndihmës ligjore të drejtpërdrejtë pa pagesë (emaili regjistropronen@gmail.com për mbështetje ose informata). Udhëzimi administrativ për regjistrim të pronës së përbashkët është i vlefshëm deri në mars 2017, përmes së cilit bëhet lirimi nga pagesat për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të çifteve të martuara. Prandaj, nisma e RrGGK-së dhe anëtareve të saj synon ta shfrytëzoj këtë udhëzim të rëndësishëm administrativ dhe t’i mbështesë gratë që të kërkojnë të drejtën e tyre për pronë. Kjo nismë përkrahet nga programi “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE).
• RrGGK-ja do të ofroj rekomandime përcjellëse të rekomandimeve të bëra në raportin e viti 2016 Kush kujdeset? lidhur me qasjen në kujdesin për fëmijë në Kosovë. Rritja e qasjes së përballueshme në kujdesin për fëmijë është e rëndësishme për krijimin e një mjedisi lehtësues përmes të cilit mund të hyjnë në fuqi punëtore më shumë gra.
Për më shumë informata rreth RrGGK-së dhe programeve të saj, ose për të diskutuar lidhur me mundësitë për bashkëpunim, ju lutemi dërgoni email në info@womensnetwork.org.