Drugëza mban ligjëratë shëndetësore për gratë e Rezallës së re të Skenderajt

Më 24 mars, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Drugëza, ka mbajtur ligjëratë shëndetësore me 17 gra të fshatit Rezallë e re të Komunës së Skenderajt. 

Pjesëmarrëset bashkëbiseduan me doktoren Emine Shabani-Goxhuli, për rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit, si dhe për mënyrat më të mira për t’u kujdesur për shëndetin riprodhues.   

“Është e rëndësishme që si temë të mos jetë më tabu dhe ne si gra të diskutojmë me njerëzit e tjerë apo të drejtohemi direkt te mjeku në rast se kemi dyshime për ndonjë ndryshim në trupin tonë e specifikisht te gjiri”, tha Shabani-Goxhuli, ndër të tjerash. 

Kurse, njëra nga të pranishmet tërhoqi vëmendjen rreth asaj që pavarësisht se të gjitha gratë e dinë sa i rëndësishëm është Pap Testi, megjithatë ende ka ngurrim që të bëhet. Ajo tutje shtoi se ligjëratat vetëdijësuese si kjo janë ndër format më të mira të ndryshimit të kësaj situate në të mirë të grave dhe shëndetit të tyre.  

Kjo nismë e Drugëzës mbështetet nga rundi i 16 i Fondit të Grave të Kosovës, i cili për herë të parë ofroi mbështetje organizative për organizatat anëtare, falë mbështetjes financiare nga Sigrid Rausing Trust.