Lena Heritier dhe Celia Follonier, dy vajza nga Zvicra tashmë kanë përshkuar më shumë se 2 mijë kilometra me biçikleta për të çuar përpara kauzën për respektimin e të drejtave të grave. Itinerari i tyre nga Zvicra në Stamboll nuk është as i lehtë e as i thjeshtë. Ato po e dokumentojnë tërë këtë rrugëtim dhe në secilin nga vendet nëpër të cilin kalojnë informohen për gjendjen e grave. Rrëfimet pritet t’i publikojnë më pas në një dokumentar.
Të martën ato vizituan Rrjetin e Grave të Kosovës dhe gjatë një interviste Celia na thotë se pavarësisht se në cilin vend jetojnë, problemet e vajzave dhe grave mbeten të njëjta.
“Mendoj se dhuna në familje është problemi më i rëndomtë dhe është gjithkund njëjtë, në secilin vend. Kjo, sepse ndodh brenda në shtëpi dhe është më vështirë të zgjidhet, sepse ndodh në një rreth të ngushtë,“ thotë Celia duke shtuar se fakti që Zvicra ka ligje afirmative për gratë, nuk do të thotë se në praktikë të drejtat e tyre respektohen në maksimum.
Aktivistja tjetër Lena e mbështet.
“Për shembull në Zvicër me ligjet jemi të barabartë, por jo edhe në terren dhe mendoj se është njëjtë si gjithkund. Është një rrugë e gjatë përpara,” shprehet ajo.
Para se të vinin në Kosovë ato kanë përshkuar mijëra kilometra me biçikleta në Itali, Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi e Shqipëri.
Mendojnë se gratë me gjithë sfidat nuk duhet të ndalen së kërkuari të drejtat e tyre.
“Mos u ndalni, nëse dëshironi të bëni diçka bëjeni! Përdorni të gjitha mjetet, nganjëherë është e pamundshme, por gjithsesi, provojeni!,” shprehet Lena.
Dy zviceraneve iu ka lënë përshtypja mikpritja nga organizatat anëtare të RrGK-së, Medica Gjakova dhe Hareja, duke thënë se nga bisedat me to dhe vetë në RrGK kanë mësuar për punën enorme që bëjnë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë.
“Rrëfimet e tyre janë shumë interesante dhe u jemi mirënjohëse që patëm rastin të takohemi dhe dëgjuam storie interesante. Ato, ju jeni duke bërë punë shumë të rëndësishme për gratë, fëmijët dhe për shoqërinë,” shprehet Celia.
Celia dhe Lena u larguan nga Kosova të mërkurën dhe Rrjeti i Grave të Kosovës në bashkëpunim me grupin e çiklistëve në Facebook “Marakli t’Biciklave” mbështeti rrugëtimin e tyre duke i përcjellë me biçikleta nga sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë deri në periferi të kryeqytetit. Ato u larguan për në Maqedoni, nga ku përmes Greqisë do të arrijnë në destinacionin e tyre final në Turqi, përkatësisht duke vizituar një shoqatë turke që lufton për të drejtat e grave.
E gjithë kjo përvojë e udhëtimit me biçikleta prej 3 mijë kilometrash nga Zvicra në Turqi, do të transmetohet në dokumentarin që fillimisht do ta publikojnë në YouTube dhe më pastaj nëse arrijnë marrëveshje edhe në televizionin publik zviceran.