EcoKos Women: Në qendër të nismave për barazi gjinore dhe ekonomi qarkore në Kosovë 

EcoKos Women është një nga organizatat anëtare të Rrjetit Mbikëqyrës për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (RrMBPGJ), një iniciativë e rëndësishme rajonale që synon të krijojë një gjendje më të barabartë të buxhetimit gjinor në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi. 

Si pjesë e RrMBPGJ-së, EcoKos ka zhvilluar nismën “Vendosja e Grave në Qendër të Zgjidhjeve Klimatike”. Sipas Nita Ferizi-Sadikut nga EcoKos Women, “projekti ka pasë për qëllim me rritë vetëdijen për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në sektorin e ndryshimeve klimatike që preken gratë drejtpërdrejt”.  

Si pjesë e kësaj nisme, është zhvilluar hulumtimi i titulluar “Perspektiva Gjinore në Zhvillimin e Ekonomisë Qarkore në Kosovë”, ku janë analizuar të dhëna nga ligjet dhe strategjitë apo politikat që janë aktualisht në funksion në Kosovë. Fokus i veçantë i këtij hulumtimi kanë qenë strategjitë dhe ligjet e Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Bujqësisë, për të vlerësuar integrimin e perspektivës gjinore në këto fusha.  

Arsyeja pse EcoKos është fokusuar në bujqësi, sipas Nita Ferizi-Sadikut, lidhet me rëndësinë e këtij sektori në vendin tonë: “Në Kosovë, sektori i bujqësisë është sektori i tretë që ndikon në bruto prodhimin vendor. Duke qenë se vetëm prej Bankës Botërore investohen rreth 53 milionë euro, ne kemi qenë të interesuar të dijmë nëse është duke u zhvilluar bio-ekonomia, ose a kemi diçka në sektorin e dekompozimit, por fatkeqësisht nuk ka diçka”, tregon ajo. 

Si pjesë e hulumtimit është shikuar Strategjia për Zhvillimin Rural 2022-2028, aty është përmendur që deri në fund të 2023-tës do të zhvillohet plani i vizibilitetit.  Megjithatë, sipas të dhënave të EcoKos-it, duket se një plan i tillë nuk është realizuar. 

 
Ndërsa te Ministria e Mjedisit, të gjitha ligjet janë në rishikim për shkak të zhvillimit të ekonomisë qarkore. Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave është rishikuar pas dy viteve, pasi në versionin fillestar nuk ishte përfshirë ekonomia qarkore, tani, me ndryshimet e bëra, kjo përfshirje është integruar në strategji. 
Arritjet ma të mëdha të projektit: 

Sipas Nita Ferizi-Sadikut, kjo iniciativë e EcoKos-it është e para që është marrë ndonjëherë, një hulumtim që ka parasysh perspektivën gjinore.  

Hulumtimi me perspektivën gjinore në zhvillimin e ekonomisë qarkore në Kosovë është i pari ky që është bërë, dhe është një qasje ndryshe, kemi bisedu me ekspertë të ndryshëm dhe vetë ideja për inkorporimin e perspektivës gjinore ka qenë një hap ndryshe”, tregon Nita Ferizi-Sadikur nga EcoKos.  

Përveç hulumtimit, EcoKos është angazhuar edhe në pjesëmarrje aktive në komunat e Prishtinës, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit, përmes një nisme tjetër e cila ka avokuar për furnizimin e shkollave dhe institucioneve publike me peceta higjienike në nivel komunal. E nisur në komunën e Obiliqit, në vitin 2023, është planifikuar të vazhdojë deri në vitin 2024, ndërsa përmes BPGJ-së është arritur furnizimi me peceta higjienike për vitin 2025. Në kuadër të kësaj iniciative, të gjitha shkollat dhe institucionet e tjera komunale janë të furnizuara me peceta higjienike, duke përmbushur një nevojë të rëndësishme për shëndetin dhe mirëqenien e vajzave dhe grave në komunitet. 

Sfidat: Si koncept me u zhvillu dhe me u ba në praktikë ka qenë e vështirë. Edhe për neve që punojmë në aspekte gjinore ka qenë e vështirë me nxjerrë çka po dojmë konkretisht nga Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (GRB), tregon Nita Ferizi-Sadiku.  

E mira ka qenë zhvillimi i nismës paraprake që u mirëprit nga nënkryetari i komunës së Obiliqit, duke shërbyer si shtysë për vazhdimin e saj në komunat tjera. Kur u pyet se pse një iniciativë e tillë nuk ishte ndërmarrë më herët në Obiliq, ai (nënkryetari) u përgjigj: “Thjesht nuk e kam ditë që është kaq e nevojshme për gratë”.  

Obiliqi është shumë i hapur për iniciativat rreth buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, ka përkrahje nga zyra e kryetarit, të nënkryetarit, e të Kryesisë së Asamblesë komunale. 

Në vitin 2020, EKW e ka zhvilluar një hulumtim, ku tregon që 15% e vajzave nuk ndjekin shkollën (mësimin), gjatë kohës së ciklit për shkak që nuk mund të furnizohen me peceta higjienike. 

Një nga sukseset kryesore të projektit ka qenë përfshirja e perspektivës gjinore në zhvillimin e ekonomisë qarkore dhe avokimi për furnizimin e shkollave me peceta higjienike. Në Komunën e Obiliqit, kjo nismë ka rezultuar me furnizimin e plotë të shkollave dhe institucioneve komunale për vitin 2024 dhe vazhdimin e saj për 2025. 

Ky sukses është mirëpritur nga zyrtarët lokalë, duke u cilësuar si një nevojë që më parë nuk ishte kuptuar plotësisht. Gjithashtu, angazhimi në Prishtinë dhe komunat përreth është parë si mënyrë për të replikuar praktikat e mira në nivel kombëtar. 

Për të treguar rëndësinë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, për EcoKos-in Nita Ferizi-Sadiku e tregon me një rast praktik të mbështetjes së grave bletare.  

Përmes projektit “Gruaja dhe mbrojtja e mjedisit përmes aktiviteteve bujqësore në komunën e Podujevës” EcoKos Women ka mbështetur disa gra bletare të cilat kanë qenë të angazhuara në sektorin e bletarisë, për të rritur sipërfaqet e gjelbra (kullotëse) të bletës. EcoKos i ka mbështetë këto gra bletare me bimë mjaltëdhënëse si shpërbleja dhe facelja, kjo ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes të zyrtarëve komunalë në komunën e Podujevës dhe e kanë shtuar si pjesë të Rregullores për Grante dhe Subvencione në Sektorin e Bletarisë.  

Nisma “Vendosja e Grave në Qendër të Zgjidhjeve Klimatike” e përkrahur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në kuadër të RrMBGJ-së, është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).