Organizata për Reforma Lokale – EULOC, anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) përmbylli me sukses nismën “Promovimi i politikave dhe vendeve të punës miqësore për familjen në Komunën e Vitisë.” Gjatë projektit pesëmujor, EULOC ka realizuar aktivitete të ndryshme për promovimin e Direktivës së BE-së për Balancin Punë-Jetë, nga të cilat kanë përfituar 42 gra dhe 12 burra ndërnarrës dhe ato që duan të hapin biznes, punëtore dhe punëtorë të sektorit privat, zyrtarë institucionalë, anëtarë të kuvendit komunal e pjesëtarë të shoqërisë civile.
Gjatë kësaj kohe, EULOC ka organizuar dy tryeza njërën me 25 gra të Komunës së Vitisë dhe tryezën tjetër përmbyllëse me 30 përfaqësues nga institucionet e përfshira në projekt: Komuna e Vitisë, shoqatat e grave, shoqëria civile dhe mediat.
Gjithashtu, EULOC ka mbajtur një trajnim me 26 gra në Komunën e Vitisë, për zhvillimin e kapaciteteve të grave në hapjen e bizneseve si dhe menaxhimin e tyre. Një aktivitet tjetër të kuadër të kësaj nisme mund ta lexoni këtu.
EULOC ka shpërndarë posterë për biznese dhe punëtorë dhe ka vizituar dhjetëra biznese në qytetin e Vitisë dhe rrethinë, siç mund të shihet në këtë raport. Në 14 takime me pronarë dhe përfaqësues/e të këtyre bizneseve, që së bashku kanë mbi 500 punëtorë, është diskutuar për Direktivën e BE-së dhe përfitimet që mund t’i kenë si punëdhënësit ashtu edhe punëtorët.
Florim Brahimi, Drejtor i Organizatës EULOC, tha se nisma e RrGK-së është vlerësuar si mjaft e qëlluar dhe e vlefshme.
“Përmbajtja e posterave lidhur me pyetjet se pse është në të mirë të punëtorëve Direktiva e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë si dhe si iu ndihmon bizneseve zbatimi i politikave miqësore për familjen kanë qenë mjaft të dobishme,” tha ai.
Arton Ostergllava, pronar i fabrikës së stiroporit “Daka Therm” në Pozheran që ka rreth 80 punëtorë, nga ta rreth 30 gra e ka mirëpritur këtë fushatë.
“Këto direktiva janë të mirëseardhura. Në fabrikën tonë ne çdoherë e më shumë kemi përmirësuar kushtet e punës si dhe në vazhdimësi do të mbështesim punëtorët në të drejtat e tyre në mënyrë që të rrisim performancën e kompanisë përmes qasjes së drejtë ndaj punëtorëve,” tha Ostergllava.
Për të promovuar politikat e vendeve të punës miqësore për familjen, EULOC ka realizuar një video e cila është shpërndarë në rrjetet sociale të organizatës, me ç’rast ka pasur shtrirje te rreth 40 mijë persona.
Në fillim të këtij viti, EULOC ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Kryetarin e Komunës së Vitisë Sokol Haliti sipas së cilës komuna mbështet nismën në kuadër të promovimit të politikave miqësore në vendet e punës për familjen.
Kjo nismë e EULOC u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.