EULOC Viti viziton gratë ndërmarrëse, zotohen për krijimin e vendeve të punës miqësore për familjen

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), EULOC Viti, më 19 nëntor ka vizituar ndërmarrjen e udhëhequr nga Valbona Ajeti, në Sllatinë të Epërme të Komunës së Vitisë, me ç’rast gratë diskutuan mundësitë për krijimin e vendeve të punës miqësore për familjen brenda kësaj ndërmarrje.

Kjo ndërmarrje e nisur dhe e udhëhequr nga një grua njihet si njëra ndër më të suksesshmet në këtë komunë dhe aktualisht ka të punësuara me orar të plotë 15 gra nga fshati Sllatinë e Epërme dhe fshatrat përreth.

Rreth 15 gra që kanë nisur disa biznese të vogla u njoftuan më shumë mbi hapat që duhet ndjekur për krijimin e një biznesi si dhe diskutuan më gjerësisht për krijimin e vendeve të punës miqësore për familjen.

Valbona Ajeti, Drejtore e ndërmarrjes Grasep, potencoi se të gjitha gratë e punësuara në këtë ndërmarrje gjithmonë kanë pasur fleksibilitet në orar të punës.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që të punësoj gra, në mënyrë që t’i ndihmoj ato ekonomikisht. Gjithashtu, të gjitha gratë që kanë punuar më herët dhe që tani ende janë këtu kanë kohë të lirë që gjatë orarit të punës të shkojnë në shtëpi nëse kanë fëmiun e sëmurë ose dikë tjetër që ka nevojë për to. Në të ardhmen po i shikojmë kushtet që gratë që kanë fëmijë të vegjël të mund t’i marrin me vete për gjidhënie apo të shkojnë në shtëpi në orarin e gjidhënies”, shtoi ajo.

Kurse, Arlinda Sahiti, Drejtore e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë pohoi se suksesi i kësaj kompanie është shumë i rëndësishëm.

“Krijimi i vendeve të punës miqësore për familjen do ta lehtësonte jetën e të gjithëve, do të krijonte vende të reja pune për gratë dhe do të arrihej një balanc në mes punës dhe jetës. Ne, këtë e shohim shumë të rëndësishme dhe duhet të përqendrohemi që të punojmë më shumë në këtë drejtim”, shtoi ajo.

Për më tepër, të pranishmet diskutuan edhe për sfidat e tjera që ka pasur kjo ndërmarrje për shkak të pandemisë COVID-19, mundësitë për të gjetur treg dhe vështirësitë e tjera në sigurimin e mjeteve të bollshme për punë.

Nisma ”Promovimi i politikave dhe vendeve të punës miqësore për familjen në Komunën e Vitisë”, u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.