EULOC promovon në Viti Direktivën e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), EULOC Viti më 1 shkurt ka vazhduar  fushatën vetëdijësuese për Direktivën e Bashkimit Evropian (BE) për Balancin Punë-Jetë dhe përfitimet nga zbatimi i saj.

Kjo organizatë ka bërë shpërndarjen e broshurave te pronarët e bizneseve dhe punëtorët në Viti, duke i njoftuar ata me fushatën vetëdijësuese të RrGK-së për rritjen e ndërgjegjësimit mbi politikat e përgjegjshme gjinore për familjen.

[Lexo KËTU më shumë rreth kësaj fushate]

Vullnetarët kanë shpërndarë broshura dhe i kanë vendosur në vende të dukshme të objekteve biznesore.

Florim Brahimi, Drejtor i Organizatës EULOC, tha se kjo nismë e RrGK-së është vlerësuar si mjaft e qëlluar dhe e vlefshme.

“Përmbajtja e posterave lidhur me pyetjet se pse është në të mirë të punëtorëve Direktiva e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë si dhe si iu ndihmon bizneseve zbatimi i politikave miqësore për familjen kanë qenë mjaft të duhura dhe të dobishme,” tha ai.

Përfaqësuesit e EULOC në bashkëpunim me Koordinatoren e Projektit të RrGK-së, Adelina Tërshani kanë avokuar tek organet komunale për të mbështetur këtë fushatë.

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se është ne nevojshme përfshirja e Direktivës në legjislacionin e Kosovës.

“Mosmiratimi i infrastrukturës ligjore u paraqet edhe juve probleme në terren. Ligji është ai që rregullon shumë gjëra dhe i frikëson edhe ata qe shkelin mbi të drejtat e punëtorëve. Komuna e mbështet Direktivën e BE-së,” tha Aliu.

Kurse, Tërshani tha se zbatimi i kësaj direktive ndihmon në arritjen e barazisë gjinore.

“Promovimi i Direktivës së BE-së mbi Balancin Punë – Jetë në nivel lokal në bashkëpunim me organizatat anëtare të RrGK-së, do të ndikojë pashmangshmërisht në aplikimin e politikave miqësore për familjen në bizneset e vogla si dhe rritjen e numrit të grave pjesëmarrëse në fuqinë punëtore,” tha Tërshani.

Po ashtu, Arton Ostergllava, pronar i fabrikës së stiroporit “Daka Therm” në Pozheran  që ka rreth 80 punëtorë, nga ta rreth 30 gra e ka mirëpritur këtë fushatë.

“Këto direktiva janë të mirëseardhura. Në fabrikën tonë ne çdoherë e më shumë kemi përmirësuar kushtet e punës si dhe në vazhdimësi do të mbështesim punëtorët në të drejtat e tyre në mënyrë që të rrisim performancën e kompanisë përmes qasjes së drejtë ndaj punëtorëve,” tha Ostergllava.

Ky nuk ishte biznesi i vetëm në të cilin EULOC Viti ka avokuar gjatë realizimit të kësaj nisme. Në nëntor të vitit 2021, EULOC ka vizituar ndërmarrjen e udhëhequr nga Valbona Ajeti, në Sllatinë të Epërme të Komunës së Vitisë, me ç’rast gratë diskutuan mundësitë për krijimin e vendeve të punës miqësore për familjen brenda kësaj ndërmarrje.

[KËTU mund të lexoni më shumë rreth kësaj vizite]

Nisma e EULOC Viti “Promovimi i politikave dhe vendeve të punës miqësore për familjen në Komunën e Vitisë” u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.