“EULOC” prezantoi hulumtimin mbi buxhetimin gjinor

Organizata për Reforma Lokale EULOC, më 18 qershor organizoi një tryezë ku prezantoi  raportin e hulumtimit me rekomandime në kuadër të nismës “Promovimi i buxhetit të drejtë gjinor nga qeverisja komunale në Viti”.  

Pjesëmarrës në panel diskutues ishin zyrtarë komunal, si dhe përfaqësues nga organizata Euloc,  Florim Brahimi, Drejtor ekzekutiv i organizatës EULOC, Latife Neziri, Trajnere e projektit, si dhe Melihate Osmani, Menaxhere në organizatën EULOC. 

Rezultatet nga Hulumtimi u prezantuan nga Florim Brahimi ku u paraqitën në formë grafike të gjeturat nga anketimi i bërë në 11 fshatra të Komunës së Vitisë. 

“Sipas takimeve me grupe te ndryshme, është nxjerrë rekomandimi që më shumë gra dhe të rinj të jenë të përfshirë në komitete të ndryshme komunale në mënyrë që zëri i tyre të mund të dëgjohet më shumë”.  tha Brahimi. 

Koordinatorja e projektit, Melihate Osmani, shtoi se në kuadër të këtij hulumtimi janë përfshirë 200 anketues (gra dhe burra) të rastit nëpër fshatra të vegjël si: Viti, Smirë, Pozheran , Drobesh, Beguncë , Fshati Ri , Kabash , Vërban , Skifteraj, Tërpezë, Bincë, përgjatë periudhës Nëntor 2019- Janar 2020.  
 
“Ky hulumtim anketues në fokus kishte barazinë gjinore, perfaqësimin gjinor si dhe fuqizimin ekonomik të grave. Nga rrezultatet e marra na mbetet të kuptojmë se qytetarët e Komunës së Vitisë nuk kanë shumë njohuri në këto fusha. Andaj edhe ne si organizatë vërejmë nevojën e vazhdimit të këtij projekti për një përfshirje sa më korrekte gjinore, që është është e domosdoshme”. tha Osmani  

Të gjeturat e këtij projekti si dhe rekomandimet e marra nga trajnimet e organizuara mund t’i gjeni në raportin e Organizatës për Reforma Lokale EULOC 

Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.  

Përveç organizatës EULOC, përfituese nga raundi i 13-të i FGK-së janë edhe 17 organizata të tjera anëtare. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.