Feministet e reja dërguan sot deklaratën e cila rezultoi nga Forumi Rajonal i Feministeve të Reja 2013. Deklarata kërkon zbatimin e kuotës 30% në proceset e vendim-marrjes, zbatimin e ligjit për arsim parauniversitar, sigurimin e transportit dhe librave për të gjithë studentët e arsimit të detyruar, përfshirjen e psikologëve në shkolla dhe zbatimin e kodit etik për mediat e shkruara dhe ato elektronike.
Deklarata, nëpërmjet së cilës vajzat shprehin problemet dhe rekomandimet e tyre, i është dërguar Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Financave, Agjencionit për Barazi Gjinore, Parlamentit të Republikës së Kosovës, Komisionit të Pavarur për Media dhe Këshillit të Mediave të Shkruara.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), me 13 dhe 14 nëntor, ka mbajtur Forumin Rajonal të Feministeve të Reja 2013, me fokus tek ndikimi që kanë vajzat për çështjet aktuale vendore dhe globale. Rreth 40 vajza nga e gjithë Kosova (Prishtina, Peja/Gjakova, Prizreni, Gjilani, Mitrovica) dhe nga shtetet fqinje të rajonit (Serbia, Maqedonia, Kroacia) janë mbledhur së bashku të punojnë në çështjet e ngritura përmes Iniciativës për Fuqizimin e Vajzave (IFV). Ato gjithashtu punuan mbi aktivitetet dhe strategjitë avokuese, feminizmin, komunikimin dhe përfshirjen e vajzave në procese vendim-marrëse. Problemet më të mëdha të ngritura nga vajzat e Kosovës, janë qasja në arsim dhe përfshirja e psikologëve në shkolla.
Këtu mund të lexoni Deklaratën e plotë të Forumit.