Me 10 nëntor, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti konferencën për media ku u shpallën zyrtarisht 17 përfituesit e 14 granteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), tri prej të cilave janë partneritete, me shumën gjithsej prej 63,974€. Prej tyre, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë financon këto grante me shumën prej 47,069€, ndërsa Austrian Development Agency (ADA) me shumën prej 16,905€. Këto iniciativa do të kontribuojnë direkt në zbatimin e Strategjisë së RrGGK 2015-2018, e cila është përpiluar bashkë me anëtaret e RrGGK.
“Rrjeti shërben si urë lidhëse ndërmjet organizatave anëtare dhe donatorëve,” tha Drejtorja Ekzekutive e RrGGK, Igballe Rogova. “Shumë shpesh, aftësitë e gjuhës Angleze apo arsye të tjera, u pamundëson këtyre organizatave të aplikojnë për grante tek donatorët e tjerë. FGK u ofron atyre mundësi të tjera.”
Rogova rikujtoi fillimin e FGK në vitin 2012 kur janë ofruar grante me shumë prej 500€, me mbështetjen e Kvina till Kvina (KtK). Sot, FGK mbështet iniciativa në partneritet me shumë deri në 8,000€. FGK ka arritur të zgjerohet falë transparencës, projekteve të suksesshme të organizatave anëtare dhe punës së palodhshme të stafit të RrGGK.
Përfaqësuesi i Zyrës së BE në Kosovë, Dario Di Benedetto, tha që ky fond është mjaft i rëndësishëm pasi që përfshinë edhe zonat rurale të Kosovës, dhe presin që këto organizata përmes zbatimit të projekteve të përmirësojnë jetën e grave dhe vajzave, të fëmijëve të tyre dhe gjithë komunitetit ku ato punojnë. Ai theksoi se BE tani ka një plan të veprimit gjinor i cili kërkon nga të gjitha delegacionet të kontribojnë në barazi gjinore, në vendet ku ata punojnë.
“Ne po e kryejmë pjesën tonë në Kosovë, me ndihmën e RrGGK duke i mbështetur organizatat për të drejtat e grave që të avokojnë për barazi gjinore”, tha Dario Di Benedetto. “Ne gjithashtu punojmë vazhdimisht për çështjet gjinore me Qeverinë e Kosovës për të ndërmarrë hapa drejt avancimit të barazisë gjinore sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Barazi Gjinore. Më specifikisht, ne dëshirojmë të arrijmë me partnerët tanë të përfshijmë më shumë gra në politikë, në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Kjo çështje ende vazhdon të theksohet edhe në raportin e progresit i cili u publikua së fundmi.” “BE, gjithashtu është duke punuar në drejtim të asaj që qeveria të ofroj mbrojtje për dhunën në baza gjinore,” shtoi ai.
Ndërsa, përfaqësuesja nga Austrian Development Agency (ADA), Albulena Zaimi tha që janë shumë të privilegjuar që punojnë me RrGGK sepse konsiderojnë që ky rrjet është lider në promovimin e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë. ADA tani është duke e zbatuar strategjinë e saj për vitin 2013-2020, ku si pjesë e tërthortë e strategjisë është fokusi në barazi gjinore.
“Ne kemi filluar bashkëpunimin me RrGGK në vitin 2013, për të mbështetur rritjen e pjesëmarrjes së grave në procese vendimmarrëse dhe për të përkrahur fuqizimin e organizatave anëtare të saj,” tha ajo. “Ne besojmë që ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe më tutje.“
Gjatë konferencës për media, edhe përfitueset e granteve folën për rëndësinë e FGK dhe ndikimin që ka për to. Ato theksuan nevojën e vazhdimit të përkrahjes së iniciativave të tyre përmes FGK.
“Jam shumë e lumtur që jam përfituese e FGK, pasi që nga ky projekt do të përfitojnë 40 gra vetëushqyese,” u shpreh Veprore Shehu, Drejtore Ekzekutive e Medica Kosova, organizatë anëtare e RrGGK.
Pas konferencës, RrGGK mbajti sesionin orientues mbi zbatimin e projekteve si dhe u nënshkruan kontratat me përfitueset e granteve në vazhdim:
Grant Avokimi Individual për një Organizatë:
· Aksioni për Nëna dhe Fëmijë me iniciativën: “Avokimi për zgjerimin e kurikulës informative në Qendrat Informuese për shëndetin e gruas dhe trajnimi i stafit në Qendra” (3,995€, përkrahur nga BE)
· Psikoterapeutët në veprim me iniciativën: “Fuqizimi i grave viktima të dhunës seksuale dhe torturës gjatë konfliktit në Kosovë në regjionin e Gjilanit” (3,595€, përkrahur nga BE)
· Qendra Kosovare për Studime Gjinore (KGSC) me iniciativën: “Barazia gjinore drejt anëtarësimit në BE” (3,000€, përkrahur nga ADA)
· Instituti Alpha me iniciativën: “Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe grave të burgosura në Kosovë përmes socializmit të tyre” (3,985€, përkrahur nga BE)
· Shoqata e Juristeve Norma me iniciativën: “Fuqizimi i gruas nëpërmjet rritjes së transparencës së institucioneve” (3,995€, përkrahur nga BE)
· OJQ Bliri me iniciativën: “Bëhu pjesë dhe ndihmo në parandalimin e sëmundjeve shekullore” (2,990€, përkrahur nga ADA)
· OJQ Rona me iniciativën: “Avokim për fuqizimin e grave fermere në fshatrat e Malishevës” (3,972€, përkrahur nga BE)
· Shoqata Iniciativa e Grave me iniciativën: “Koha për frymë të re politike” (3,995€, përkrahur nga BE)
· Handikos Mitrovica me iniciativën: “Fuqizimi i grave me aftësi të kufizuara përmes rritjes së vetëdijesimit rreth të drejtave të tyre pronësore” (3,946€, përkrahur nga BE)
· Asociacioni i Grave Fermere “Krusha e Vogël” me iniciativën: “Avancimi i grave dhe vajzave në viset rurale” (3,000€, përkrahur nga ADA)
· OJQ Foleja me iniciativën: “Ngritja e nivelit të edukimit shëndetësor për rëndësinë e planifikimit familjarë dhe shëndetit reproduktiv” (3,675€, përkrahur nga BE)
Grante Avokimi në Partneritet për Ndryshim:
· Medica Kosova & Djepi i Buzëqeshjes me iniciativën: “Përkrahja e qasjes së nënave vetushqyese të prekura nga lufta në programet e subvencioneve për agrikulturë” (7,915€, përkrahur nga ADA)
· Qendra Për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” & Legjenda me iniciativën: “Ngritja e pozitës së Gruas në proceset e paqe-bërjes dhe buxhetimi gjinor” (7,927€, përkrahur nga BE)
· Artpolis & Qendra për Promovimin e të drejtave të grave (QPDG) me iniciativën: “Njohja dhe promovimi i të drejtave të shëndetit riprodhues dhe edukimi seksual përmes artit dhe angazhimit të të rinjëve” (7,983€, përkrahur nga BE)
Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK-së ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht për grupet që punojnë në vende rurale dhe/apo personat e margjinalizuar. Që nga viti 2012, FGK ka përkrahur 83 organizata, me shumën prej 355,996.15€. FGK ka pasur më shumë se 9138 përfitues, dhe ka kontribuar në së paku 13 ndryshime të politikave drejt përmirësimit të jetës së grave dhe vajzave në Kosovë. Në vitin 2016, Fondi i Grave të Kosovës mbështetet nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.