Gjakova, komuna e dytë që fillon integrimin e BPGJ-së

Në vitin 2015 RrGGK ka arritur një marrëveshje me Komunën e Gjakovës, sipas të cilës RrGGK do të mbështes këtë komunë në integrimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ në procese dhe dokumente buxhetore.
     Andaj me 22 Prill 2015, RrGGK mbajti një punëtori lidhur me metodologjinë e BPGJ-së me përfaqësues të Komunës së Gjakovës, ku morrën pjesë 17 persona, përfshirë edhe zyrtarë të buxhetit dhe drejtorë të drejtorivë të ndryshme të Gjakovës. Në fjalët e tyre hyrëse, Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programeve në RrGGK, si dhe z. Teki Shala, Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës folën për rëndësinë e BPGJ-së për Gjakovën, dhe për faktin që Gjakova është lidere në këtë aspekt, pasi që është komuna e dytë që integron BPGJ-në. Kjo punëtori ishte vetëm hapi i parë drejt BPGJ-së në komunën e Gjakovës.
     Punëtoria do të përcillet me asistencë dhe mentorim të mëtutjeshëm, në mënyrë që zyrtarët e Gjakovës të trajnohen edhe më tej rreth integrimit të BPGJ-së në punën e tyre të përditshme. Po ashtu, RrGGK do të asistoj edhe në integrimin e perspektivës gjinore në Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2016-2018.
     Donjeta Morina, Kordinatore për Zhvillim të Kapaciteteve në RrGGK, udhëhoqi punëtorinë, duke u premtuar pjesëmarrësve një punëtori shumë praktike. “Në fund të kësaj punëtorie, të gjithë do të mundeni të ktheheni në zyre dhe praktikisht të përdorni BPGJ-në në punën e drejtorisë suaj,” u shpreh Morina.
Punëtoria ishte shumë interaktive dhe pjesëmarrësit dhanë shembuj prej drejtorive të tyre përkatëse. Ata po ashtu morën shembuj se si BPGJ mund të integrohet në kategori të ndryshme ekonomike, si paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, komunali, dhe investime kapitale.
   Bashkëpunimi i mëhershme i RrGGK-së me Komunën Kamenicës ishte shumë i suksesshëm, pasi që proceset dhe dokumentet buxhetore të kësaj komune u bënë më të ndjeshme nga ana gjinore. Ku Komuna e Kamenicës mori hapat e parë drejt institucionalizimit të BPGJ-së. Poashtu, gjatë bashkëpunimit me këtë komunë, u identifikuan disa praktika më të mira, të cilat mund të përdoren në komuna të tjera. Njëra nga këto praktika lidhet me metodologjinë, që RrGGK ka përdorur në një punëtori, duke përcjellur edhe me mentorim individual me secilin prej zyrtarëve, duke rezultuar si metodë shumë e mire për të integruar BPGJ-në.
Kjo punëtori dhe bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës u mbështet nga Austrian Development Agency (ADA).