Gjashtë javë në RrGK, një përvojë e jashtëzakonshme për Beachboard 

Hera e parë e Martine Robinson Beachboard në Kosovë do të mbetet një përvojë frymëzuese, tejet e këndshme dhe fitimprurëse, si në aspektin profesional poashtu edhe në atë personal. 

Rreth gjashtë javë (fundi i gushtit-fillimi i tetorit) të kaluara duke punuar nga afër me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) për Prof. Beachboard, Eksperte e Komunikimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Arizona, ishin të çmuara për disa arsye. 

Përderisa akrepat e orës po lëvizin dhe koha e saj në Prishtinë po shkon drejt fundit, Beachboard i ndan përshtypjet e saj, duke theksuar veçanërisht njohuritë e stafit të RrGK-së, si dhe mikëpritjen e njerëzve në Kosovë në përgjithësi. 

“Fjala e parë që më bie ndër mend është se ka qenë privilegj, thotë Beachboard. “Nëse qëndroni në vendin e dikujt tjetër dhe ata ju pranojnë me mirësjellje, atëherë ju jeni me fat dhe falenderues. Kam pritur një kohë të gjatë që të jem në Kosovë dhe të punoj me RrGK-në”. 

Në kuadër të projektit “Avancimi i Komunikimit Strategjik të RrGK-së”, Beachboard udhëhoqi 10 punëtori interaktive me 20 anëtarë të stafit, takoi 17 përfaqësuese të organizatave anëtare, redaktoi një sërë publikimesh dhe mentoroi individualisht shkrimet e stafit. Gjithashtu ajo ka ndihmuar në hartimin e planeve strategjike të komunikimit. 

“E kam ditur se RrGK është një organizatë me mision të rëndësishëm dhe të vlefshëm, por sa më shumë që hulumtoja aq më shumë e kuptoja se është organizatë e madhe dhe me ndikim. Sapo arrita këtu, e kuptova se në staf ekziston gatishmëria për t’u përmirësuar edhe më shumë në punën e tyre. Ata janë pasionantë dhe entuziastë për arritjen e barazisë në disa aspekte të jetës së përditshme, me theks të veçantë arritjen e barazisë gjinore”, tha Prof. Beachboard.  

Prania e saj u vlerësua shumë nga stafi i RrGK-së, të cilët shprehen falenderues që patën mundësinë të përfitojnë nga sugjerimet e saj. 

Rudina Voca, praktikante për Marrëdhënie me Publikun në RrGK, çmon njohuritë e marra nga puna me Beachboard. 

Puna me Prof.Beachboard më ndihmoi shumë. Mentorimi i saj në procesin e të shkruarit si dhe në aftësitë për komunikimin, ishte i jashtëzakonshëm. Jam shumë mirënjohëse që kam pasur mundësinë të punojë me një person kaq shembullor dhe të përkushtuar”, tha Voca. 

Asistentja e Granteve në Fondin e Grave të Kosovës (FGK), Mirjeta Dibrani ka përmendur aftësitë e Beachboard për t’i lehtësuar çështjet që lidhen me komunikim. 

“Prof.Beachboard ia del mbanë që ta bëjë më të qartë mënyrën se si funksionon komunikimi; ajo i bën gjërat lehtë të kuptueshme për të gjitha audiencat”, shtoi Dibrani. 

Kjo ndjenjë duket së është e dyanshme, pasiqë Beachboard poashtu e vlerëson ndikimin që stafi i RrGK-së pati në punën dhe profesionalizmin e saj. 

“Kurdo që je duke dhënë mësim, je edhe duke mësuar gjithashtu. Përgjatë punëtorive unë kisha mundësinë e jashtëzakonshme që të mësoj pikëpamje të ndryshme nga stafi i RrGK-së, kështu të jem pjesë e shkëmbimit kulturor. Jeta është e shkurtër, dhe ju duhet të nxirrni më të mirën nga ajo”, thotë Beachboard, përderisa këtë deklaratë e përputh me sloganin e saj të parapëlqyer “Carpe Diem”. 

Agjenda e Beachboard në RrGK ishte mjaft e ngjeshur. Mirëpo, pavarësisht kësaj ajo arriti të shijojë këtë përvojë të veçantë, ku krahas punës në zyrë, kaloi ca kohë edhe në terren. 

“Më ka bërë përshtypje ekspozita shumë efikase “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, që është e punuar në mënyrë tejet profesionale, dhe mendoj që me të vërtetë është bukur që të bartet në komuna të ndryshme. Unë kisha mundësinë që të shkoj në Gjakovë për ekspozitë, si dhe në Prizren pëfushatën “Voto për më shumë gra në parlament”. Është frymëzuese për mua që të shoh njerëz që punojnë me pasion dhe vullnet të mirë.” shpjegon ajo. 

Prof.Beachboard solli përvojën profesionale dhe akademike në RrGK falë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, përmes Programit Botëror të Mësimit të Fondacionit Fulbright (Fulbright Foundation World Learning Program), i cili promovon lidhjet ndërmjet akademikëve dhe profesionistëve amerikanë dhe homologëve të tyre në institucionet jashtë vendit, bashkëfinancuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA). 

Edhe pse ajo deri më tani ka udhëtuar në më shumë se 40 vende, Beachboard ruan një kënd të veçantë në mendjen dhe zemrën e saj për përvojën në Kosovë.  

 ***  

Gjatë kohës që kaloi këtu Beachboard dha një intervistë televizive. 

Gjeni këtu linkun e kësaj interviste (e qasshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze)https://bit.ly/2LXSu8b 

LEXO EDHE: Mbahet punëtoria mbi Komunikimin me organizatat anëtare të RrGK-së. 

***