Vjollca Krasniqi
Luftrat në Ish-Jugosllavi gjatë viteve të 90-ta sollën shkatërrime të jetëve, dhunë, dhembje dhe vuajte të mëdha. Si gjeografi e dhunës, këto luftra përbënin përvojën e jetës së shumë grave dhe burrave në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Pavarësisht nga numri i vdekjeve, si pjesë e gjeografisë, disa e shihnin si një episodë historike nga e kaluara. Por për të tjerët kujtimi i krimit, masakrave, dëbimit, dhunës seksuale dhe shkatërrimit të pronës është ende prezent, i mishëruar në trupin dhe kujtesën e tyre. Lufta dhe kujtesa, sidoqoftë nuk janë i vetmi figurim në këtë kohësi; është etja e të mbijetuarave/ve për drejtësi.
Si mekanizma të drejtësisë ndëshkuese, gjykatat dhe gjykimet e krimeve të luftës janë të rëndësishme për trajtimin e shkeljeve gjatë luftë. Qasja e rivendosjes së drejtësisë është shumë e rëndësishme, jo vetëm sepse përfshinë një numër të madh të njerëzve por se ajo përfshinë kujtimet dhe vënien në pah të vuajteve dhe humbjeve. Për të gjitha këto elemente mund thuhet që kontribuojnë drejt shërimit, një parakusht për një të ardhme pa dhunë. Në këtë frymë Gjykata e Grave për ish-Jugosllavinë e ndërrmarrë nga Lëvizja e Grave në vendet post-Jugosllave (Bosnja dhe Herzegovina, Kroacia, Kosova [Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës si organizatë udhëheqëse për/nga Kosova], Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia), është mbajtur muajin e kaluar në Sarajevë. Ajo ka përfaqësuar Gjykatën e parë të Grave në Evropë. Kjo ishte një ndërhyrje feministe drejt rivendosjes së drejtësisë në vend. Në këtë përpjekje për drejtësinë dhe të vërtetën, Gjykata e Grave ishte ngritur kundër harresës së dhunës në luftërat në ish-Jugosllavi, e cila ka është përjetësuar nga sistemet e shumfishta kriminale, nga akterët shtetërorë dhe jo-shtetërorë që vepruan kundër popullatës civile, veçanërisht kundër grave. Gjykata e Grave është krijuar për ndërgjegjësimin publik, ka të bëjë me etikën dhe moralin mbi humbjet njerëzore. Motivi themelor politik ishte të sigurohet se e kaluara nuk do të përsëritet. Kjo Gjykatë kërkoi që të vihet në dritë lidhja midis individëve dhe grupeve në përvojën e luftës dhe të dhunës; të konsiderohen rreziqet e shkaktuara në bartjen e traumës tek gjeneratat e ardhshme, dhe në fund të theksohet rëndësia e kujtesës për hir që të mos përsëritet dhunë e tillë në të ardhmen.
Bazuar në konceptet feministe të drejtësisë, përgjegjësinë dhe kujdesin si themel i paqes së qëndrueshme, Gjykata e Grave ka siguruar një hapësirë publike që zëri i grave të dëgjohet. Ishte një vend ku gratë mund të tregojnë përvojën e tyre për padrejtësitë që shkaktuan dhembje dhe vuajtje, si dhe për rezistencën ndaj luftës dhe aktivizmit të tyre për paqe. Prandaj, politikat e Gjykatës së Grave ishte përqendrimi në gratë e mbijetuara. Gjykata e Grave kundërshton meta-narrativin për gratë si sepse një narrativ i tillë në mendim dhe aplikim i heq grave fuqinë për veprim. Struktura e Gjykatës së Grave përbëhet nga panele mbi pesë tema të përcaktuara dhe forma të dhunës të përjetuara nga gratë. Atopërfshijnë dhunën kundër civilëve; dhunën seksuale; dhunën ekonomike, dhunën militare; dhe dhunën në baza etnike.
Në Gjykatën e Grave, e cila është mbajtur në Qendrën Kulturore Boshnjake në Sarajevë, gratë e mbijetuara të dhunës gjatë luftës ishin në qendër të vëmendjes. Ato folën para një publiku të përbërë nga qindra gra të cilat qëndronin në heshtje, duke dëgjuar me vëmendje, dhe shpesh me lotë në sy për gratë nga Srebenica, Drenica, Krusha e Madhe, Deçani, të përmendi vetë disa, lidhur me kujtimet për dhunën që ato kanë përjetuar gjatë luftës, për anëtarët që kanë humbur gjatë luftës, për jetën e shkatërruar dhe shpresën e humbur, por edhe për përpjekjet e tyre për drejtësi dhe strategjitë që ato ndërmuarren për të rindërtuar jetën e tyre. Gratë dëshmitare nuk ishin vetëm. Atyre i’u ishin bashkuar gratë aktiviste dhe ato ndërmjetësuese të Gjykatës së Grave të cilat shprehën solidaritetin dhe analizuan kontekstin më të gjerë shoqëror dhe politik të luftërave në ish-Jugosllavi para panelit të gjyqtareve dhe publikut.
Pesë gra Kosovare treguan përvojën e luftës dhe dhunës që kishin përjetuar. Dëshmitë e tyre janë më të forta se stigma, heshtja dhe amnezia. Dhuna për të cilën ato folën është më komplekse se ajo e konceptuar në drejtësinë tradicionale. Dëshmitë e tyre janë individuale, por në të njejtën kohë ato tregojnë metodat e dhunës që ishin institucionale dhe pjesë e një ekonomie politike të luftës dhe të sistemeve të kriminalitetit që përfshinë akterë të shumtë: forcat ushtarake të shtetit dhe policisë, paramilitarët, mercenarët dhe mafian, ende me paqartësi të angazhimit të tyre, të drejtuara kryesisht kundër popullsisë civile: grave, fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve.
Gjykata e Grave përbën një ndërhyrje për drejtësi, të vërtetën dhe kundër harresës së luftës e efekteve që lufta ka pasur në jetën e grave dhe personave të tjerë përreth. Për më tepër, Gjykata e Grave kontribuon në njohjen e grave të mbijetuara të dhunës në luftë dhe ka zgjeruar mënyrën e të kuptuarit se si dhuna gjatë luftës është ushtruar ndaj gjinisë femërore. Tre ditë të dëshmive treguan se për gratë dëshmitare, humbja dhe dhembja është e pafund, por mbizotëron beteja për drejtësi, kujtesë aktive dhe kundër kulturës së mosndëshkimit. Ato kanë luftuar për të rindërtuar jetën e tyre, të familjeve, dhe komunitetit. Për më tepër ato kanë kërkuar drejtësi pa pushim. Në Gjykatën e Grave, gratë dëshmitare e bënë të qartë edhe një herë se përpjekjet për drejtësi dhe paqe duhet të vazhdojnë.
Për më shumë informata, ju lutem vizitoni: http://www.balcanicaucaso.org/eng/Regions-and-countries/Bosnia-Herzegovina/Sarajevo-the-Women-s-Tribunal-161486#