Gratë aktiviste nga Kosova dhe Serbia diskutojnë për përfshirjen e grave në dialogun Kosovë-Serbi 

Aktiviste nga Kosova dhe nga Serbia më 24 janar në Mitrovicë të Veriut u mblodhën për të diskutuar lidhur me temën “Dialogu Beograd – Prishtinë nga Perspektiva e Grave”. 

Ky debat publik ishte vazhdimësi e nismës së realizuar nga Asociacioni i Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (MWAHR) dhe Shoqata e Grave Pescanik nga Krushevci, Serbi. Nismë kjo e cila synon që të krijojë kontakte dhe të sjellë së bashku aktivistet e të drejtave të njeriut dhe të grave nga Kosova dhe Serbia me qëllim që të kontribuojnë në pajtimin dhe krijimin e paqes në rajon.  

Dialogu Kosovë-Serbi, perspektiva gjinore sipas standardeve evropiane si dhe përfshirja më e madhe e grave në proceset integruese ishin ndër temat e trajtuara në panelin diskutues të përbërë nga: Luljeta Demolli, Drejtore Ekzekutive e QendrëKosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Vetone Veliu, Drejtore Ekzekutive e MWAHR, Snezana Jakovljevic, Drejtore Ekzekutive e Pescanik, Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, Igballe Rogova – Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe  Artan Murati, Këshilltar i Lartë Ligjor në Kompaninë Kosovare për Sherbime Ligjore (KLSC).    

Fillimisht Veliu tregoi për të pranishmit se kjo nismë ka filluar që prej vitit 2017, duke përmendur tutje mungesën e informative të ndara me gra si një nga shqetësimet kryesore. 

 “Ne si shoqëri civile jemi përpjekur, dhe kjo është një gjë e mirë sepse ne tani po komunikojmë. Jemi rreth 30 gra nga Kosova dhe nga Serbia që tashmë kemi krijuar komunikim të shëndoshë mes vete, kemi filluar të krijojmë miqësi”, u shpreh ajo. 

 Mendim të ngjashëm ka ndarë edhe Jakovljevic, e cila ka treguar se nuk gjendet për herë të parë në Kosovë. 

 “Duam t’i fuqizojmë gratë që t’i mbrojnë të drejtat e tyre, që të luftojnë për ato të drejta dhe për arritjen e barazisë gjinore. Duam t’i informojmë gratë se çfarë po ndodhë [në dialogun Kosovë-Serbi], e poashtu t’i përkrahim nismat e tyre”, ka thënë ajo. 

 Kjo nismë e dy organizatave u mirëprit nga nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut. 

 “Më vjen mirë që debatet e tilla kanë ardhur në nivel lokal. Zotohem në emër të komunës që organizimi tjetër të bëhet në koordinim me ne, në mënyrë që të kemi një agjendë edhe më gjithëpërfshirëse. Mitrovica është një vend sfidues për projekte të tilla, por unë dua t’u siguroj se edhe pse Mitrovica funksionon me dy komuna, qyteti u përket gjithë qytetarëve, pavarësisht nga veriu apo nga jugu”, ka thënë Mujka, duke përmendur gatishmërinë dhe vullnetin për t’i çuar përpara temat që kontribuojnë në arritjen e barazisë gjinore.  

Kurse, Rogova ka përgëzuar të dy organizatat  që për një kohë të gjatë po e zhvillojnë së bashku këtë debat. Ajo tutje ka kujtuar fillet e aktivizmit për të drejtat e grave, që prej viteve të ’90-ta. 

 “Gjatë kohës kur Martti Ahtisaari udhëhiqte negociatat, zëri alternativ i grave ishte Koalicioni i Grave për Paqe, edhe pse nuk ishte pjesë zyrtare e negociatave, ky koalicion megjithatë kontribuoi që të dëgjohet zëri i grave nga Kosova dhe nga Serbia. Tani është koha që në dialog të përfshihen edhe aktivistet për të drejtat e grave përmes grupit të ekspertëve”, ka thënë Rogova. 

 

Në përvjetorin e 20-të të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, Rogova për të pranishmit ka rekomanduar leximin e përmbledhjes Fakte dhe Fabula, të cilën RrGK e ka publikuar lidhur me zbatimin e kësaj rezolute. 

                                     Fakte dhe Fabula mund ta lexoni KËTU 

Diskutimi u përmbyll me një debat produktiv ndërmjet pjesëmarrësve dhe panelistëve.  

Ky projekt synon të rrisë pjesëmarrjen e grave në proceset e integrimit evropian, përfshirë dialoguKosovë-Serbi, duke marrë shkas informacionet e kufizuara që publiku, veçanërisht gratë kanë pëkëtë dialog