Gratë dhe vajzat avokojnë me sukses në Komunën e Novobërdës

Gratë dhe vajzat avokojnë me sukses në Komunën e Novobërdës

Edhe pse korriku ka shënuar temperatura jashtëzakonisht të larta, Fondacioni për Edukim dhe Zhvillim (FEZH) nuk është ndalur së zbatuari aktivitetet e iniciativës “Thuaju mjaft paragjykimeve”. Qëllimi kryesor i kësaj iniciative ka qenë i dyfishtë: të ndërmerret iniciativa për të bashkuar gratë dhe vajzat që diskutojnë problemet e tyre të përbashkëta dhe njëherit të thyhen paragjykimet ndëretnike duke avokuar së bashku për këto probleme.
   FEZH ka bashkuar 20 gra dhe vajza nga Novobërda të enticiteteve të ndryshme, të cilat kanë pasur takime të një pas njëshme ku kanë diskutuar për problemet që ato i hasin duke u përgatitur për të avokuar për tri problemet më urgjente tek personat konpetent të Komunës së Novobërdës.
Me 21 korrik, ato u mblodhën në Novobërdë në një tryezë të rrumbullakët ku avokuan para Kryetarit të Komunës, Svetislav Ivanoviç, Nënkryetarit të Komunës, Bajrush Ymeri dhe kryesueses së grupit të grave deputete në kuvendin Komunal të Novobërdës, Shefkije Mehmetit. Tri çështjet në vazhdim ishin fokusi kryesor për të cilat u diskutua gjatë takimit:
Kiosku i cili është vendosur nga projekti i kaluar i FEZH në qendrën turistiko-informative në Novobrdë, mbështetur nga FGK, u propozua të rihapet me ndihmën e komunës. Gratë kërkuan drejtpërdrejt tek kryetari i komunës që kiosku të vendoset afër komunës pasi aty ka më shumë lëvizje dhe gjithashtu të hapet një konkurs transparent pune për të gjithë qytetarët që duan të punojnë në kiosk.
Përveq kësaj, duke pasur parasysh se relievi i Novobërdës ofron kushte shumë të volitshme për punimin e tokës, ndërsa pronësia është një prej çështjeve që ende janë tabu në Novobrdë, u  shpreh nevoja e madhe që gratë e kësaj ane të organizojnë të paktën dy takime me ndihmën e komunës, në kuadër të zyrës për barazi gjinore. “Gjatë këtyre takimeve gratë nga komunitetet e ndryshme mund të njihen mes veti dhe të diskutojnë për problemet e përbashkëta që kanë me pronësinë,” tha Vjollca Zeqiri, drejtore e organizatës FEZH.
   Ndërsa Nazmije Bunjaku, zyrtare e tatimit në pronë në Novobërdë shtoi se qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen për regjistrimin e pronave dhe pagimin e taksave për këto. “Mund t’ju them se prej 350 pronave, tash kemi 10 prona që janë regjistruar nga gratë. Ky është një përparim në krahasim me gjendjen e viteve të mëhershme.”  
   Për të ngritur çështjen e tretë, gratë kërkuan nga Selvete Zymberi, zyrtare në Kryqin e Kuq në Novobërdë, që Kryqi i Kuq të jetë më transparent në aktivitetet e tyre. Znj. Zymberi informoi gratë për programet që kanë për qëllim edukimin shëndetësor, ofrimin e aktiviteteve për të rinj, ofrimin e ndihmës së parë në shkolla etj. “Për këto aktivitete qytetarët mund të informohen nëpërmjet fletushkave të cilat i botojmë rregullisht,” tha ajo. Ndërsa gratë e grupit avokues propozuan që këto fletushka të jenë në dispozicion në Qendrën për Shërbim të Qytetarëve në Komunën e Novobërdës, pasi ky vend frekuentohet më së shumti nga banorët dhe në të njejtën kohë qytetarët do të informohen se si të marrin shërbime nga Kryqi i Kuq.
    Kryetari i Komunës, Svetislav Ivanoviç i përgëzoi gratë dhe vajzat për këtë iniciativë dhe për këto propozime konkrete të cilat do të mund të zbatohen nga ana e komunës.
Kjo iniciativë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) me shumën prej 2,350€. FGK mbështetet nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.