Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK), në bashkëpunim me Lobin për Barazi Gjinore në Kosovë, ka filluar fushatën “UNË GUXOJ”, për të promovuar kornizat ligjore të cilat i mbrojnë gratë dhe vajzat nga diskriminimi, dhuna në familje, ngacmimet seksuale, si dhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore. “UNË GUXOJ” është edhe pjesë e Projektit për Promovimin e të Drejtave të Grave.
“UNË GUXOJ” është një shfaqje e cila luhet për të luftuar gjendjen momentale jo të mirë, që edhe pse Kosova i ka në fuqi kornizat ligjore për të mbrojtur të drejtat e grave, ato ligje nuk zbatohen gjithmonë. Shfaqja duhet të shihet si një mënyrë që gratë të shprehin paknaqësitë e tyre ndaj mungesës së mbrojtjes nga ligji, si një shtytje për rritjen e sensibilizimit për nevojën që ligje të tilla të zbatohen. Qëllimi i fushatës është që gratë ta ngrisin zërin e tyre, të kërkojnë zbatimin në praktikë të të drejtave të tyre ligjore, dhe të flasin lirshëm për padrejtësitë që kanë përjetuar gjatë viteve të shkuara, për shkak të mungesës së zbatimit të ligjit.
Aktoret e “UNË GUXOJ” janë Kumrie Hoxha, Makfire Miftari, Florentina Ademi, Safete Rogova, dhe Molika Maxhuni. Vetë drama përbëhet nga pesë monologë të ndryshme: një nënë që vajton për humbjen e djalit të saj në luftë; një nuse e re që kujton përvojën personale të përdhunimit gjatë luftës; një grua që vajton të shkuarën e saj me bashkëshortin e dhunshëm; një vajzë e re që ka vuajtur nga ngacmimi seksual kur ka kërkuar për punë; dhe një bijë që kërkon të drejtën për të trashëguar pasuri familjare. Megjithëse drama, si e tërë, përshkruan realitetin e hidhur me të cilin përballen vajzat dhe gratë në jetën e tyre të përditshme, fundi është mjaft pozitiv dhe fuqizues. Të gjitha tregimet e përmendura personale i nxisin vajzat dhe gratë që t’i njohin të drejtat e tyre dhe të përdorin ligjin në rast se përballen me ndonjë shkelje të të drejtave të tyre.
Përmes këtyre tregimeve, pjesëtarët e audiencës kanë mësuar më shumë për ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, të tilla si: Ligji Kundër Diskriminimit, Ligji për Barazinë Gjinore, Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, dhe Ligji për Trashëgiminë.
Gjatë tetorit, “UNË GUXOJ” u shfaq në Dragash, Rogovë, Lipjan, Drenas, Viti dhe Prizren. Ndërsa gjatë Nëntorit do vazhdojë në Kaçanik, Vushtrri, Deçan dhe Malishevë. Kjo fushatë mbështet nga Ambasada Holandeze.