Gratë e Krushës së Vogël vetëdijësohen për shëndetin në kohën e menopauzës 

Ndryshimet trupore dhe emocionale të përjetuara gjatë menopauzës, tani do të jenë më lehtë të kuptueshme përreth 80 gra nga Krusha e Vogël. 

Përveç menopauzës, këto gra përmes aktiviteteve të organizuara nga Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël”, u njoftuan edhe me çështjet si: kanceri i gjirit, vet-ekzaminimi i gjirit, kanceri i qafës së mitrës, klimaksi, tensioni i lartë dhe shputa diabetike. 

Nisma “Mbështetja e Grave në Menopauzë erdhi si nevojë e grave të këtij fshati, pasi fatkeqësisht qasja më e vështirë në informacion, krahasuar me zonat urbane, ka bërë që ngritja e vetëdijes rreth rëndësisë së kujdesit shëndetësor gjatë menopauzëtë jetë një domosdoshmëri drejt realizimit të të drejtave shëndetësore të tyre.  

Gratë pjesëmarrëse në ligjërata e kanë mirëpritur këtë nismëteksa së bashku kanë ndarë vështirësitë me të cilat janë përballur. Ndër to është edhe L.SH, 45 vjeçare. 

       “Kur mu paraqitën shenjat e para të menopauzës, ka qenë mjaft stresuese. Ngurroja për t’u paraqitur te mjeku sepse më vinte turp për të treguar. Këto ligjërata kanë qenë profesionale, si dhe tani jeni shumë më të relaksuara. Po ashtu, kemi caktuar edhe termine për kontrolle te gjinekologia”, thotë ajo duke falenderuar “Krushën e Vogël” dhe RrGK-në për këtë mundësi të dhënë. 

       “Kam përfituar shumë nga ky projekt, temat e diskutuara janë vetëdijësuese për kujdesin personal, poashtu kam kuptuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta në mënyrë që të parandalojmë sëmundje të ndryshme”, tha një tjetër pjesëmarrëse. Gjithsej 45 gra kanë kryer kontrolle gjinekologjike 

Përveç takimeve të mbajtura me gra “Krusha e Vogël” ka mbajtur takime edhe me Nexhip Berishën Drejtor i Shëndetësisë në Prizren, me ç’rast është avokuar që ky institucion të hartojë një dokument rreth planifikimit të mbajtjes së ligjëratave në viset rurale në vitet e ardhshme. Si rezultat i takimit të mbajtur është arritur marrëveshja që takimet me gra të mbahen në Qendren e Mjekësisë Familjare në Prizren, po ashtu është arritur edhe marrëveshja me Hanife Hoxhën, ligjëruese e profesionalizuar që mbajtja e ligjeratave të jetë pa pagesë.  

 “Simptomat nuk shfaqen në fazat e hershme të kancerit të qafës së mitrës, kurse me kalimin e kohës mund të vërehen shenja si; dhimbje pas marrëdhënieve seksuale, gjakderdhje pas klimaksit, humbje e shpejtë e peshës, si dhe përsëritje e ciklit vetëm pak kohë pasi ka përfunduar,” shpegoi Hoxha për të pranishmet në një ligjëratë të mbajtur në muajin shkurt. 

Gjatë realizimit të kësaj nisme, gjithashtu është mbajtur edhe takim avokues me Myvexhele Zhuri nga Zyra për Barazi Gjinore, në të cilin takim është lobuar që të këtë më shumë mbështetje në fushën e shëndetësisë dhe në përfitimin e granteve nga pushteti lokal.  

Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” me nismën “Mbështetja e Grave në Menopauzë” ka kontribuar në ndryshimet pozitive që gratë mund të bëjnë në komunitet, në rritjen e solidaritetit mes aktivisteve të të drejtave të grave dhe në të vepruarit së bashku si lëvizje e grave në kuadër të zbatimit të Strategjisë së RrGK-së 2019-2022. 



*****

Artikuj të ngjashëm: 

Gratë e Krushës së Vogël diskutojnë për Kancerin e Qafës së Mitrës 

Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” fuqizon ekonomikisht vajzat në zonat rurale

*****