Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” fuqizon ekonomikisht vajzat në zonat rurale

     Pas analizës së bërë mbi papunësinë e të rinjëve dhe grave në zonat rurale, Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” me mbështetje nga Fondi i Grave të Kosovës dhe financim nga Austrian Development Agency (ADA), ndërmori iniciativën “Avancimi i grave dhe vajzave në viset rurale“. Së bashku me përfitueset e projektit, stafi i SHGF “Krusha e Vogël” organizoi takime me përfaqësuesit e institucioneve në nivel lokal në Prizren në mënyrë që të informohen lidhur me mundësitë e ndryshme si dhe programet për punësim dhe aftësim profesional, ndarje të subvencioneve, etj.
     Me 1 mars, Shoqata e Grave Fermere organizuan aktivitetin përmbyllës pas trajnimit për përpunimin e qumështit, përkatësisht pregatitjen e djathit si produkt final. Ky produkt është planifikuar të shitet në restorane dhe shtëpi të ndryshme të fshatit.
     “Shumica e projekteve të cilat kanë për qëllim fuqizimin ekonomik ishin të fokusuara në burra, duke i lënë pas dore gratë dhe posaçërisht vajzat“ tha Florentina Avdyli, njëra prej pjesëmarrëseve duke shtuar faktin se ky është aktiviteti i parë në të cilin ka marr pjesë prej nga përfundimi i studimeve. “Papunësia në viset tona është në nivel shumë të lartë dhe përkundër faktit se shumica nga vajzat kanë përfunduar studimet, ato nuk mund të gjejnë punë“.
     E arritura kryesore e projektit është fuqizimi ekonomik i katër të rinjëve përmes punësimit në qendrën grumbulluese të qumështit. Gjithashtu, katër gra dhe burra kanë aplikuar për grante në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Projekti ka ndikuar që pjesëmarrësit të mësojnë rrugë të ndryshme drejt fuqizimit ekonomik të tyre përmes aktiviteteve dhe mundësive të ndryshme me të cilat janë njoftuar gjatë kohës së zbatimit të projektit përmes regjistrimit në Qendrën për Aftësim Profesional, Entin për Punësim, përmes aplikimit për grante dhe subvencione, e të tjera.