Gratë, vajzat të pakënaqura me Buxhetin 2013 të Republikës së Kosovës

Pas leximit të parë të buxhetit në Kuvendin e Kosovës, RrGGK lëshoi një deklaratë, që iu dërgua të gjthë parlamentarëve, zyrtarëve kyç të qeverisë dhe mediave, që thotë:

“Ne, si qytetare së Republikës të Kosovës, jemi krejtësisht kundër kalimit në leximin e parë të Buxhetit të Kosovës për 2013-ën nga Qeveria dhe Parlamenti. Nuk pajtohemi me mënyrat në të cilat zyrtarët tanë të zgjedhur kanë vendosë t’i shpenzojnë paratë e tatimeve tona. Besojmë se ky buxhet nuk pasqyron interesat kryesore të qytetarëve të Kosovës. Përveç kësaj, buxheti nuk i plotëson as për së afërmi nevojat specifike të grave e vajzave, përkundër faktit se Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lila-Kusari, është zotuar publikisht për buxhetim që do i përgjigjej nevojave gjinore.

“Jemi thellësisht të shqetësuara që shpenzimet kapitale përbëjnë 41% të buxhetit qendror të Kosovës. A na duhen edhe më shumë ndërtesa qeveritare? Çka përfiton një qytetar i Kosovës nga Shtëpia e Bardhë prej 1 milion eurove për Presidencën? Pos kësaj, jemi të tmerruara për shkak se më shumë se 22% e buxhetit tonë janë nda për rrugë (€267,700,000). A janë rrugët më të rëndësishme se mirëqenia e Kosovarëve? Si do të kontribuojnë këto investime në zhvillimin njerëzor – si të grave ashtu edhe të burrave? Besojmë se nuk janë vlerësuar në mënyrë adekuate implikimet e këtyre investimeve në zhvillimin njerëzor afatshkurtë dhe afatgjatë.

“Në anën tjetër, sipas propozim-buxhetit mbesin të keqfinancuara fushat që kanë potencial të mirëfilltë për të bërë investime në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale për shumë kosovarë që mundohen të jetojnë e punojnë në zonat rurale (p.sh. nga buxheti i Ministrisë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural prej €23,359,230; Departamentit të Zhvillimit Rural i janë nda €109,050).

“E dimë se arsimi si fushë parësore krijon mundësi për të siguruar që kosovarët të garojnë për vende pune në tregjet lokale dhe globale (p.sh. mundësonë krijimin e remitancave të vazhdueshme nga të cilat mbijetojnë shumë kosovarë), mirëpo nuk besojmë se qeveria ka planifiluar të investojë sa duhet për të ofruar mundësi për arsim cilësor. Gjysma e buxhetit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë prej €44,679,592 do të shpenzohet në shpenzime kapitale (€22,650,000), gjë që jo domosdo e ngritë cilësinë e arsimit që ofrohet.

“Shpenzimet e lidhura me rendin e ligjin përfshijnë vetëm 10% nga buxheti qendror për 2013-ën, duke e rrezikuar kështu aftësinë e policisë dhe gjyqësorit për të siguruar rend e ligj. Ky planifikim do të anashkaloj gjithsesi nevojën për zhvillimin njerëzor dhe mirëqenien sociale. Shëndetësia merr vetëm 8.85% të buxhetit, ndërsa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale 18.4%.

“Planifikimi buxhetor i paraparë nuk ndanë mjete të mjaftueshme për programe kyçe drejt përmirësimit të mirëqenies së grave e vajzave, si dhe të qytetarëve në përgjithësi. Agjencioni për Barazi Gjinore, me €185,770, nuk do të arrij të mbuloj nevojat dhe programet e planifikuara, e që gjithsesi do të ketë ndikim në mundësinë e këtij agjensioni për të siguruar se barazia gjinore është bërë pjesë kyçe e zhvillimit e të gjitha niveleve në Kosovë, në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore. Ligjet dhe programet tjera për barazinë gjinore, përfshi Programin dhe planin e veprimit kosovar kundër dhunës në familje, janë lënë të pa adresuara sikurse në 2012-ën, përkundër rekomandimeve që, përveç tjerëve, i ka bërë edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

“Si përfundim, besojmë se ky buxhet nuk i adreson mjaftueshëm prioritetet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, që është zotuar për zhvillim ekonomik, rend e ligj, zhvillim njerëzor dhe mirëqenie sociale. Apelojmë tek ju që menjëherë të ndërmerrni veprime për ta rishikuar dhe përmirësuar buxhetin e vitit 2013 ashtu që të adresohen më mirë nevojat e mirëfillta e prioritare të grave e burrave në Kosovë, pra ato që mundësojnë zhvillim njerëzor – e jo vetëm të atyre që mundësojnë projekte personale të disa zyrtarëve qeveritarë.”