“Gruaja Hyjnore” fillon 16 ditët e aktivizmit me fushatën #MosHesht

Organizata anëtare e Rrejtit të Grave të Kosovës (RrGK), OJQ “Gruaja Hyjnore”, shënoi 25 Nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe fillimin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Me këtë rast, para Teatrit të Qytetit në Gjilan u shpalos baneri me thirrjen #MosHesht, dhe u shpërndanë shalla me ngjyrë portokalli që simbolizon një të ardhme pa dhunë për vajzat e gratë. 

Qëndresa Hajdari, Menaxhere e Projekteve ne këtë organizatë tha se raportimi i dhunës është jetik, dhe bëri thirrje që institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë këto raste sipas ligjit.  

Shumë gra dhunën në familje e konsiderojnë si një çështje private; shumë pak prej tyre të cilat kanë përjetuar dhunë flasin për të; dhe shumë më pak prej tyre e raportojnë dhunën tek autoritetet. Përmes kësaj fushate duam të trajtojmë edhe dy çështje të rëndësishme për luftën kundër dhunës ndaj grave: viktimat nuk duhet të fajësohen asnjëherë, dhe autoritetet e zbatimit të ligjit janë përgjegjëse për mbrojtjen e tyre në përputhje me ligjin’’, theksoi ajo.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Lindita Salihu, Zyrtare për Barazi në Gjilan, njëherit edhe  Koordinatore e Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje, e cila foli për rëndësinë e angazhimit shoqëror dhe institucional kundër dhunës në baza gjinore, për programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për gratë që kanë përjetuar dhunë, si dhe trajtimin e kryerësve të dhunës. 

“Së fundi në Kushtetutën e Kosovës është përfshirë edhe Konventa e Stambollit e cila parasheh zero tolerance ndaj kryerësve të dhunës. Këtë mund ta arrijmë vetëm nëse angazhohemi të gjithë, vetëdijesohemi për raportim e mbrojtje sa më të drejtë, për të dalë pastaj te rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave të dhunës. Shteti duhet patjetër të mendojë edhe për trajtimin e dhunuesve duke gjetur mënyra për t’i trajtuar sepse është shumë shqetësuese kur ndodhin vrasjet pikërisht nga recidivistët që kanë qenë të njohur për institucionet”, tha ajo.

Arjeta Maka, Koordinatore e Projektit në OJQ “Gruaja Hyjnore” ju bëri thirrje qytetarëve dhe personave që  përjetojnë dhunë ta raportojnë atë sepse dhuna është krim dhe një vepër e tillë dënohet me burgim.  

“Inkurajojmë të gjithë ata që dëgjojnë ose dyshojnë për raste të dhunës në familje t’i raportojnë ato menjëherë në polici. Është përgjegjësi jona t’i raportojmë krimet kur ndodhin, dhe gjithashtu detyrë qytetare t’i mbrojmë të tjerët’’, shtoi ajo. 

Gjatë ditëve në vijim kjo organizatë do të bëjë fushatë në rrjete sociale si dhe do ta shfaq filmin “Not your property” (Shqip: Nuk jam prona jote). 

Ky aktivitet dhe kjo nismë e OJQ-së “Gruaja Hyjnore” mbështetet nga Trusti Sigrid Rausing, përmes rundit të 16 të Fondit të Grave të Kosovës.  

Fotografitë: OJQ “Gruaja Hyjnore” në Facebook.