Gruaja Hyjnore ngrit vetëdijen e nxënësve të Gjilanit rreth rëndësisë së raportimit të ngacmimeve

Organizata anëtare e Rjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Gruaja Hyjnore ka mbajtur ligjërata për adresimin dhe raportimin e ngacmimeve me nxënësit e shkollave të mesme të Komunës së Gjilanit, në kuadër të nismës “Edukata seksuale si lëndë mësimore në shkolla fillore dhe të mesme”, përfituese e raundit të 15-të të Fondit të Grave të Kosovës.

Gjatë marsit, Menaxherja e Projektit në këtë organizatë, Qëndresa Hajdari mbajti dy ligjërata, njërën në Shkollën Fillore dhe të Mesme e Ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan ndërsa tjetrën në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Deshmoret e Kombit” në Livoç të Ulët të Gjilanit. Ajo ka njoftuar nxënësit që në kuadër te kësaj nimse janë të parapara edhe takime informuese me prindërit, kjo duke ditur rolin e rëndësishëm të tyre në luftimin e kësaj dukurie dhe vetëdijësimin e fëmijëve.

“Ngacmimet seksuale vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë tonë. Duke filluar prej ngacmimeve verbale në rrugë, fillon të cenohet dinjiteti i një vajze ose gruaje, e kur të flasim për dhunimin, atëherë po flasim për aktin më të rëndë e që duhet drejtuar menjëherë tek organet kompetente dhe të trajtohet me shumë seriozitet”, theksoi Hajdari ndër të tjerash.

Ky aktivitet dhe kjo nismë janë mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.