Hani i Elezit, tani me ide konkrete lidhur me BPGJ

Hani i Elezit, një komunë e vogël dhe e gjelbërt pranë kufirit Kosovë-Maqedoni, po fillon rrugëtimin e gjatë dhe frytdhënës me Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ).
     Ministria e Financave, si dhe korniza ligjore e Kosovës, kërkojnë nga të gjitha Ministritë dhe Komunat e Kosovës që të planifikojnë dhe ekzekutojnë buxhetet e tyre në një mënyrë të përgjegjshme nga aspekti gjinor. Njëkohësisht, pasi që BPGJ është koncept i ri për komunat e Kosovës, RrGGK merr përsipër të mbështes një Komunë për vit që të ju shërbejë qytetarëve të vet në mënyrë më të mirë, duke integruar BPGJ-në. Komuna e Hanit të Elezit është përzgjedhur si komuna për vitin 2016.
     Në një punëtori fillestare të mbajtur me 17 Mars, Donjeta Morina, Koordinatore për Zhvillim të Kapaciteteve në RrGGK, u shpalosi pjesëmarrësve këtë mënyrë të re të planifikimit dhe shpenzimit të buxheteve shtetërore. “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor mund të bëj shpenzimet e komunës më të barabarta, transparente dhe efikase. Megjithatë, planifikimi dhe shpenzimi i fondeve në mënyrë më të përgjegjshme gjinore nuk kërkon buxhet shtesë; kërkon vetëm një qasje të orientuar më shumë nga qytetarët, ku nevojat dhe prioritetet e grave dhe burrave mirren parasysh,” tha Morina. Më pastaj ajo shtoi që pika kryesore e BPGJ-së qëndron në mbajtjen, analizën dhe përdorimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë.
     Kryetari i Komunës së Hanit të Hanit të Elezit, Z. Rufki Suma, ishte po ashtu prezent në këtë takim, dhe shprehi falenderimet e tij për mbështetjen që RrGGK po i ofron komunës në përmbushjen e kërkesave të Ministrisë së Financave. Prezent në takim ishte edhe Z. Menduh Vlashim, Nënkryetar i Komunës së Hanit të Elezit, i cili ishte shumë aktiv në dhënjen e ideve se si mund të bëhen shpenzimet e komunës më të përgjegjshme nga aspekti gjinor. Poashtu, të pranishëm ishin të gjithë drejtorët e drejtorive komunale. RrGGK ishte pozitivisht e befasuar prej vëmendjes dhe pjesëmarrjes tejet aktive të të gjithë të pranishmëve.
     Drejtorët e Bujqësisë, Shërbimeve Publike, dhe Shëndetësisë të gjithë japën shembuj konkret për mënyrën se si do të fillojnë të integrojnë BPGJ-në në drejtoritë e tyre gjatë javëve të ardhshme. Idetë e tyre shumë premtuese do të ndihmojnë të zvogëlohen pabarazitë në Komunën e Hanit të Elezit dhe më tej, si dhe do të sigurojnë që gratë, burrat, vajzat dhe djemtë të përfitojnë në mënyrë të barabartë prej të gjitha kategorive ekonomike dhe linjave buxhetore. RrGGK do të vazhdojë me seanca mentorimi me çdo drejtor kurdo që ka nevojë, për t’i mbështetur që të kthejnë idetë e tyre në realitet.
     Ndiqeni uebfqen e RrGGK-së për të përcjellur sukseset e mëtutjeshme të Hanit të Elezit; një komunë magjepsëse, efikase, transparente, udhëtimi i së cilës drejt integrimit të BPGJ-së do të jetë padyshim i suksesshëm.
     Mbështetja që RrGGK u ofron komunave të Kosovës për të integruar BPGJ-në financohet nga Austrian Development Agency (ADA).