KFOR organizoi në Prishtinë Konferencën “Ditët e Perspektivës Gjinore”

Me 1 dhe 2 qershor, u mbajt Konferenca "Ditët e Perspektivës Gjinore" organizuar nga KFOR-i, në të cilën morën pjesë ambasadorë, udhëheqës të organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, figura politike dhe pjesëtarë të Policisë dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës. Dita e parë e Konferencës u mbajt në Hotel Sirius.
     Gjeneral Major Giovanni Fungo në hapje të konferencës gjatë fjalimit të tij, ndër të tjera tha se "…barazia gjinore po bëhet shumë e rëndësishme dhe nëse aspektet e barazisë ligjore nuk merren parasysh atëherë mund të jenë si pengesë për të përmbushur misionin tonë”. Duke pasur parasysh që kjo ishte hera e parë që KFOR-i po organizonte një ngjarje jashtë rrethojave të bazës së tyre, Gjenerali Fungo e cilësoi si “një hap për tu lidhur më shumë me shoqërinë kosovare”.
     Pas video-mesazhit nga ish-Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, dhe fjalimit nga Komandantja e NATO-s, Michelle Howard, Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGGK-së, ndër të tjera kujtoi fillimet e bashkëpunimit të KFOR-it me organizatat e grave duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së barazisë gjinore dhe sfidat me të cilat vazhdon të ballafaqohet shoqëria jonë.
Në ditën e dytë të konferencës, që u mbajt në kampusin e KFOR-it, znj. Rogova foli për Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (RKSOKB) 1325 Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Gratë paqen dhe sigurinë 1325 nga perspektiva politike dhe perspektiva gjinore, duke theksuar mundin dhe rolin e grave të shoqërisë civile në këtë proces. Ajo tutje tregoi për avokimin ndërkombëtar dhe vendor për zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (RKSOKB) 1325 që nga miratimi i saj në vitin 2000 dhe se si pas luftës në Kosovë, ajo përdori Rezolutën për të kërkuar më shumë takime mes zyrtarëve të KB – së, vendim-marrësve ndërkombëtarë dhe grave në Kosovë.
      Duke anashkaluar pengesat me të cilat ndesheshin dhe duke marr parasysh përkushtimin e grave që të kontribojnë në ndërtimin e paqes dhe të marrin pjesë në negociata, znj. Rogova kujtoi: “Ishte kjo periudha kur RrGGK dhe Rrjeti i Grave në të Zeza vendosëm të krijojmë Koalicionin e Grave për Paqe, duke bashkuar gratë nga Kosova dhe Serbia të cilat bazuar në Rezolutën 1325, kërkonin të kishte së paku një grua në ekipin negociator të të dy shteteve duke theksuar rëndësinë e lobimit për pjesëmarrjen e grave në ndërtimin e paqes”.