KGVK trajnon personat e verbër për orientim në hapësirë

Organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) po vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Në vazhdën e kësaj përpjekjeje, Komiteti i Grave të Verbra të Kosovës (KGVK) mbajti trajnime për orientim në hapësirë dhe mobilitet për 30 persona të verbër dhe me të parë të dobësuar. 

Përmes këtyre trajnimeve pjesëmarrësit u trajnuan t’i performojnë vetë aktivitetet e përditshmërisë si: përdorimin e shkopit të bardhë në mjedise të brendshme e të jashtme, kalimin e pengesave, ngjitjen e shkallëve, hapjen e derës, e të tjera. 

Trajnerja Shasime Xhaferi, duke falënderuar RrGK-në për mbështetjen e këtyre aktiviteteve, tha se pjesëmarrësit ishin mjaft të interesuar.  

“Kam vërejtur dashuri dhe vullnet për të nxënë sa më shumë dituri rreth përdorimit të shkopit të bardhë si në pjesën teorike të trajnimit, ashtu edhe në atë praktike. Andaj, jam munduar që njohurinë time ta transmetoj sa më mirë te pjesëmarrësit”, tha ajo. 

Pjesëmarrësi Betim Bregovina vlerëson njohurinë e përfituar në këto trajnime, dhe shtron nevojën për më shumë aktivitete të tilla. 

Në trajnim kam kaluar shumë mirë, por për shkak të sfidave të vazhdueshme, do të doja të ketë trajnime disamujore për ne”, tha ai. 

Edhe për pjesëmarrësen Mevlyde Emini trajnimi ishte shumë i dobishëm. 

Jam shumë e kënaqur sepse trajnerja jonë është munduar të jetë e afërt me ne dhe të përçojë sa më mirë njohurinë e saj. Përdorimi i shkopit të bardhë është njohuri jetike për ne, dhe ne si komunitet kemi nevojë për trajnime të tilla”, tha ajo. 

Përveç këtyre trajnimeve, Komiteti i Grave të Verbra të Kosovës po punon në audio-incizimin e literaturës për degën e Psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, dhe do të avokojë që këto incizime të përfshihen si dokumente zyrtare të këtij fakulteti. 

KGVK po i realizon këto aktivitete falë mbështetjes organizative të marrë nga rundi i 16 i Fondit të Grave të Kosovës, financuar nga Trusti Sigrid Rausing.