Një ditë pas inaugurimit të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), mijëra gra e burra nëpër vende të ndryshme të botës i’u bashkuan marshit “Women’s March”. Mbi 5 milion aktivistë të të drejtave të njeriut, u mblodhën për ta dënuar gjuhën fyese, denigruese, seksiste, raciste e mizogjine të përdorur nga Presidenti i tanishëm i SHBA-ve, gjatë fushatës para-elektorale. I nisur në Uashington D.C., fillimisht për të adresuar nevojat dhe kërkesat e grupeve të margjinalizuara në SHBA, marshi morri hov, duke marrë kështu përmasa globale, dhe duke u shndërruar në një nismë ndërkombëtare proaktive e cila ngriti individët të mbrojnë të drejtat e grave dhe grupeve të tjera si përgjigje ndaj retorikës të së djathtës ekstreme në botë.
Në Kosovë, marshi “Gratë Marshojnë” i organizuar me 21 janar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), u përkrah nga burra, gra dhe të rinjë të cilët kanë për qëllim të mbrojnë të drejtat e njeriut.
Republika e Kosovës, edhe pse një vend i vogël dhe me ndikim ekstremisht të vogël në politikat globale, iu bashkua këtij marshi, duke e ditur se edhe në Kosovë të drejtat e grave dhe ato të personave nga grupet tjera të margjinalizuara si personat me aftësi të kufizuara, personat nga grupet minoritare etnike, personat që u takojnë grupeve LGBTI, shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve dhe i shkeljeve të të drejtave të njeriut. Për t’iu bashkuar miliona aktivistëve gjithandej botës dhe për të adresuar nevojat dhe kërkesat që qytetarët e Kosovës kanë, përmes marshit u bë thirrje që: të ndalet dhuna ndaj grave, të respektohet e drejta e punës për gratë; të respektohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara; të respektohen të drejtat e personave LGBTI; të respektohen të drejtat për shëndetit riprodhues; si dhe të ndalet përdorimi i gjuhës seksiste. Të gjitha këto u përcollën me një mesazh të përbashkët, që të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.
Përmes hulumtimeve dhe punës së përditshme, RrGGK vlerëson se në Kosovë, dhuna ndaj grave vazhdon të jetë shumë e shprehur. Në vitin 2015, 68% e grave të Kosovës kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë në familje ndërsa 64.1% kanë deklaruar të kenë qenë të ngacmuara seksualisht. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës vazhdon të jetë shumë e ulët me vetëm 18.1%. Prej 5000 të regjistruarve, vetëm 30 persona të verbër apo me të pamurit e dobësuar kanë gjetur punë me pagë në Kosovë; kërcënimet dhe mohimet që u bëhen për çdo ditë personave nga grupet LGBTI vazhdojnë të mbesin shqetësim i madh për shoqërinë kosovare.
Për më tepër, Kosova vazhdon të ballafaqohet me politikanë dhe liderë kosovar të cilët përdorin gjuhë seksiste dhe denigruese ndaj grave. Ata vazhdojnë t’u drejtohen kolegeve të tyre me emra ofendues dhe përmes gjuhës seksiste ata tentojnë të dekurajojnë gratë në pozitë që të mos jenë të zëshme, dhe tu binden urdhërave të kolegëve të tyre, të cilët shpesh nuk i kursejnë as epitetet si: “lopë”, “hiena që kultivojën kurvëri”, “dele që kullosin” e deri tek ato ku një kryeparlmentar i thotë “ma honksh” koleges së tij deputete.
Përmes marshit, të bashkuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut, politikanët dhe liderët kosovar u rikujtuan që përdorimi i gjuhës së tillë është i papranueshëm dhe se ne nuk do të ndalemi deri sa të gjitha gratë të gëzojnë barazi dhe harmoni në të gjitha nivelet e udhëheqjes në shoqëri.
RrGGK falenderon përkrahësit e marshit, sepse vetëm të bashkuar mund të bëjmë ndryshime duke arritur që të drejtat e njeriut të respektohen plotësisht dhe pa dallime. Të bashkuar, ne duhet të vazhdojmë të punojmë në mënyrë paqësore duke qenë të vetëdijshëm që nuk ka paqe të vërtetë pa drejtësi dhe barazi për të gjithë.